Bota

William Burns emërohet në krye të CIA-s


Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka emëruar ish-diplomatin e karrierës William Burns për të drejtuar Agjensinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Biden në njoftimin e bërë për emërimin e Burns në krye të CIA-s u shpreh që ai “do të sjellë një qasje dhe këndvështrim apolitik për zbulimin”.

Për të marrë detyrën, Burns duhet të konfirmohet nga Senati.

Burns, ka qenë ambasador në Moskë nga viti 2005 në 2008 dhe ka drejtuar bisedimet sekrete që hapën rrugën për marrëveshjen bërthamore me Iranin në vitin 2015 në kohën e presidentin demokrat Barack Obama.

Ai është president i Fondacionit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare prej gati pesë vjetësh.

Gjithashtu, do të drejtojë një agjenci që këshillon Biden se në cilat fusha mund të bashkëpunojë ose të përballet me Kinën.

Ka shërbyer si ambasador në Jordani gjatë presidencës së Bill Clinton-it dhe ambasador në Rusi gjatë kohës së  George W. Bush-it.

William, ka qenë i konfirmuar nga Senati  gjatë 33 vjetëve në ushtrumin e detyrave të rëndësishme.

Demokratët që do të jenë kryesues në komisionet e zbulimit të Kongresit e mirëpritën emërimin e Burns-it.

“Si një diplomat karriere nën presidentë demokratë dhe republikanë, ai e ka pozicionuar veten si një nëpunës publik të zgjuar dhe të sprovuar, i pandikuar nga ndërhyrjet politike”, tha kryetari i ardhshëm i komisionit të inteligjencës të Senatit, Mark Warner.

Presidenti i zgjedhur, u ka bërë thirrje ligjvënësve të konfirmojnë ekipin e tij të sigurisë kombëtare sa shpejt që të jetë e mundur pas inaugurimit të tij./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore