Lajme

Washington-i njofton sanksione të reja kundër talebanëve


Washington-i zyrtar njoftoi të mërkurën e 1 shkurtit kufizime të reja të vizave për talebanët në përgjigje të ndalimeve të punësimit dhe arsimimit për gratë në Afganistan.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “AFP”.

“Unë jam duke ndërmarrë veprime sot për të vendosur kufizime shtesë të vizave për disa talebanë aktualë ose ish-talebanë, anëtarë të grupeve të sigurisë joshtetërore dhe individë të tjerë që konsiderohen përgjegjës ose bashkëpunëtorë në shtypjen e grave dhe vajzave në Afganistan”, tha kreu i diplomacisë amerikane Antony Blinken në një deklaratë për shtyp.

Që nga kthimi i tyre në pushtet në gusht 2021, talebanët kanë vendosur kufizime të ashpra ndaj grave afgane, duke i ndaluar ato nga punët publike, duke i ndaluar të ndjekin shkollat e mesme dhe universitetet ose të shkojnë në parqe.

Në fund të dhjetorit, ata ndaluan OJQ-të të punojnë me gratë afgane, duke bërë që disa organizata të pezullojnë aktivitetet e tyre.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë në koordinim me vendet aleate “për t’u bërë përshtypje talebanëve se veprimet e tyre do të kenë pasoja të rëndësishme dhe do të mbyllin rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve të tyre me komunitetin ndërkombëtar”, shtoi Blinken.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore