Lajme

Vulin: Kosova s’do të jetë anëtare e Interpolit


Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, pas një takimi me presidentin e Interpolit dhe Inspektorin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Ahmed Nasser Al-Raisi, ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e Interpolit, shkruan Tanjug.

Vulin falënderoi Al-Raisin për mirëkuptimin e qëndrimit të Serbisë për kërkesën e Prishtinës për anëtarësim në Interpol.

“Pozicioni i Emirateve të Bashkuara Arabe në seancën e Asamblesë së Përgjithshme në Dubai në vitin 2018 ishte i një rëndësie të madhe për parandalimin e politizimit të Interpolit dhe një precedent që do të kishte pasoja të paparashikueshme për të gjitha shtetet anëtare të organizatës”, tha Vulin.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk guxojnë të jenë anëtare të asnjë organizate ndërkombëtare, veçanërisht jo në ato që kanë informacione për krimin dhe grupet e organizuara kriminale.

Vulin shtoi se Serbia është një partner i besueshëm dhe i fortë në përpjekjet për modernizimin e punës së Interpolit dhe organeve të tij dhe parandalimin e politizimit të tij.

Ministri e njoftoi edhe një herë Al-Raisin për të gjitha argumentet e Serbisë, e cila kundërshton fuqishëm çdo kërkesë të Prishtinës për anëtarësim në Interpol, “sepse kjo do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me vetë kuptimin e ekzistencës së kësaj organizate ndërkombëtare policore”.

Në vitet e fundit Kosova ka aplikuar dhe synon të bëhet anëtare e UNESCO-s, INTERPOL-it, Këshillit e Evropës e organizata të tjera.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë janë 117 vende që e njohin shtetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore