Lajme

Vuçiç: Përveç njohjes de jure dhe facto të Kosovës, jemi të gatshëm t’i zbatojmë marrëveshjet e tjera


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se gjatë takimit me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, i është kërkuar që të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, por ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, duke theksuar se “e ka respektuar Kushtetutën e Serbisë”.

“Isha ulur i vetëm përballë Olaf Scholz-it, Emmanuel Macron, Josep Borrell, Miroslav Lajçak. Dhe Macron-i më jep dokumentet dhe më thotë të nënshkruajë. Duke menduar në kokën time në fund kthehem i them që kam Kushtetutën e Serbisë, të cilën e dua dhe e respektoj dhe se nuk mund të nënshkruajë”, tha Vuçiç gjatë një interviste në televizionin serb, TV Prva.

“Jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që lidhet me marrëveshjet e arritura për Kosovën, përveç njohjes de facto dhe de jure”, ka insistuar ai.

Presidenti serb ka pretenduar se Qeveria e Kosovës “po bën dredhi dhe hile në procesin e dialogut.

“Unë thashë se jemi të gatshëm t’i kryejmë obligimet tona, por nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin në OKB. E kam thënë edhe në Ohër”, shtoi Vuçiç.

Ai ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron të flasë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin, disa politikanë nga Gjermania dhe Britania e Madhe e mbështesin atë. Ju keni parë që në shumë vende ka aktor politik që nuk duan të shohin Asociacionin, si Alicia Kearns”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që kishte pasur me liderët evropianë në Bruksel, pati thënë se përkundër që Kosova e pranoi edhe draftin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Serbia po refuzon që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, për të cilën ka thënë se duhet të zbatohet “në tërësi, pa vonesa dhe pa kushte”.

Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk kanë pasur gatishmëri për t’u pajtuar për “planin e ri” të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke parashtruar kushte për njëri-tjetrin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore