Kosova

Vuçiç pas takimit me Mitsotakis: Më siguroi se nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës


Kyriakos Mitsotakis dhe Aleksandër Vuçiç

Pas një darke joformale të hënën në mbrëmje në Athinë në mes të liderëve të Ballkanit Perëndimor në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe presidentit të Ukrainës e Moldavisë për nder të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të martë ka takuar edhe nikoqirin e kësaj darke kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Takimin në fjalë e ka njoftuar vetë Vuçiç nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social në Instagram, ndërsa ka bërë të ditur se në takim me kryeministrin helen është diskutuar edhe çështja e Kosovës.

Vuçiç ndër të tjera ka theksuar se Mitsotakis i ka garantuar atij se Greqia nuk do të ndryshojë pozicion në raport me pavarësinë e Kosovës.

“Një bisedë e mirë dhe miqësore me kryeministrin grek me të cilin shkëmbyem mendime për bashkëpunimin e përgjithshëm rajonal, çështjet globale dhe qëndrimin e Greqisë ndaj situatës në Kosovë. Miqtë tanë grekë kanë konfirmuar edhe një herë se nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre zyrtar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Vuçiç i bindur se Ukraina s’do ta ndryshojë qëndrimin në raport me pavarësinë e Kosovës

Të martën në mëngjese, Vuçiç e takoi edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelesnky, bisedën me të cilin e cilësoi si të drejtë, të hapur, miqësore, konstruktive dhe të sinqertë.

Në një konferencë për media Vuçiç tha se përshtypja e tij pas bisedës me Zelenskyn është se Ukraina nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozicioni në raport me pavarësinë e Kosovës.

“Ia shpjegova situatën në lidhje me Kosovën. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, tha Vuçiç duke shtuar se “ajo që unë mendoj është më shumë se të menduarit, jam pothuajse i bindur se nuk do të ketë asnjë ndryshim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore