Lajme

Vuçiç i bindur se Ukraina s’do ta ndryshojë qëndrimin në raport me pavarësinë e Kosovës


Volodymyr Zelensky dhe Aleksandër Vuçiç

Bisedën e realizuar të martën në mëngjes me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka cilësuar si të drejtë të hapur, miqësore, konstruktive dhe të sinqertë.

Pas një darke joformale të hënën në mbrëmje në Athinë në mes të liderëve të Ballkanit Perëndimor në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe presidentit të Ukrainës e Moldavisë për nder të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, presidenti Vuçiç ka takuar sot homologun e tij nga Ukraina Zelenskyn me të cilin ndër të tjera siç ka njoftuar ai është diskutuar edhe çështja e Kosovës.

Në një konferencë për media Vuçiç tha se përshtypja e tij pas bisedës me Zelenskyn është se Ukraina nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozicioni në raport me pavarësinë e Kosovës.

“Ia shpjegova situatën në lidhje me Kosovën. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, tha Vuçiç duke shtuar se “ajo që unë mendoj është më shumë se të menduarit, jam pothuajse i bindur se nuk do të ketë asnjë ndryshim”.

Vuçiç tha gjithashtu se as Greqia – njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës – nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën.

Presidenti serb ndër të tjera ka deklaruar se Zelensky ishte i interesuar të di se çfarë mendojnë njerëzit në Serbi për luftën në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë.

“Kam folur për atë që ka ndodhur në vitin 1999, duke konfirmuar se Serbia e konfirmon integritetin territorial të Ukrainës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. U diskutua edhe për forma të ndryshme bashkëpunimi, sepse edhe pse Ukraina është në luftë, ajo duhet të mendojë se si ta rindërtojë vendin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore