Kosova

Vuçiç flet me Ursula von der Leyan: Më kërkoi të bëjë gjithçka për de-përshkallëzimin e situatës në Veri


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se ka biseduar përmes telefonit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje.

Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, Vuçiç tha se me von der Leyen ka diskutuar për situatën në Kosovës, “veçanërisht për atë në Veri të Kosovës”, duke shtuar se presidentja e Komisionit Evropian “shprehu shqetësimin për situatën aktuale dhe më kërkoi të bëja gjithçka për të de-përshkallëzuar”.

“E njoftova kryetarin e Komisionit Evropian për qëndrimet e serbëve në Veri të Kosovës dhe kërkesat për respektimin e të drejtave të tyre, të cilat kërcënohen çdo ditë. Diskutuam edhe për bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Komisionit Evropian, përkatësisht Bashkimit Evropian, duke konstatuar se ai sjell përfitime për të dyja palët dhe ramë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm”, shkroi ai në “Instagram”.

Ndryshe, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisede telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën ka diskutuar për domosdoshmërinë për deeskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit është thënë kryeministri e ka njoftuar atë për konfisikimin e armatimit në Zveçan.

“Kryeministri Kurti e informoi Presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët”.

“Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna”, është thënë nga zyra e Kryeministrit.

Kurti e falënderoi presidenten von der Leyen për mbështetjen ndaj Kosovës për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore, si dhe e njoftoi atë për arritjet dhe sukseset e vendit tonë në shumë fusha.

“Ai tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi”.

Ndërsa, që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Situatë edhe më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Në kulmin e këtyre tensioneve, situata agravoi edhe më tej me 14 qershor, pasi xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Kurti bisedon me Ursula von der Leyan: Zvogëlimi i numrit të policëve në komunat në Veri në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore