Kosova

Vuçiç: Djali im është më trim se Kurti, ecë mes Prishtinës me bluzë “dorëzimi s’është opsion”


Aleksandër Vuçiç dhe Danilo Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se djali i tij, Danilo, i cili ishte prezent në kremtimin e Ditës së Shën Vidit (Vidovdan) në Manastirin e Graqanicës – disa kilometra larg Prishtinës – ka treguar “trimëri” më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas pretendimeve të tij, ia ka “ngacmuar dhe ndaluar” të birin.

“Ata e ndaluan, e kontrolluan dhe e ngacmuan tre herë. E përgëzoj Kurtin për guximin. Ai nuk është aq i guximshëm në praninë time… Danilo nuk është i vogël, është pak më trim se Kurti. Ai eci në mes të Prishtinës i veshur me një bluzë ‘dorëzimi s’është opsion’ dhe shkoi në liturgji në Graçanicë për t’u falur”, tha Vuçiç.

Kështu të paktën transmeton media propagandistike e afërt me presidentin serb “Novosti”, duke iu referuar raportimeve të mediave kosovare se “Vuçiç Junior” është ndaluar në dalje të autostradës, përkatësisht në fshatin Trudë dhe i është larguar bluza irredentiste me mbishkrimin “dorëzimi s’është opsion”.

Nuk është hera e parë që Danilo merr pjesë në festa të tilla nacionaliste. Edhe para 2 vitesh, ai kishte kremtuar Ditën e Shën Vidit me serbë të tjerë në Kosovë duke mbajtur të veshur përsëri një bluzë me mbishkrimin irredentist “nuk mund të vjedhësh nga shpirti”.

Ndryshe, kremtimi i Ditës së Shën Vidit ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës (1389), që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar, të cilin historiografia serbe e ka miticizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore