Lajme

Vuçiç: Disa të ashtuquajtur miq na gënjyen për anëtarësimin e Kosovës në KiE – pres lajme të këqija


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se do të ketë ndryshime “në doktrinë dhe qasje” për vazhdimin e dialogut me Kosovën, duke theksuar se Beogradi mbetet i hapur për dialog, porse ai theksoi se do t’i zhvillojë bisedimet në një mënyrë më ndryshe.

“Kur dikush të mashtron një herë, kjo u ndodh njerëzve të mirë sepse i besojnë fjalës apo nënshkrimit të dikujt. Kur ai ju tradhton për herë të dytë, ju mund të keni besuar ose keni dashur të besoni shumë. Nëse vazhdon kështu, nuk flet për atë që të ka mashtruar, porse je budalla. Ne nuk jemi më të tillë budallenj”, u tha Vuçiç gazetarëve në Beograd pas pritjes së organizuar për nxënësit e shkollave fillore nga Kosova.

Tutje, ai ka theksuar se gjatë ditëve në vijim pret “lajme të këqija për Serbinë”, duke shtuar se “disa të ashtuquajtur miq na mashtruan dhe na gënjyen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Ndërkaq duke iu drejtuar nxënësve të shkollave fillore nga Kosova, Vuçiç i falënderoi ata, pasi siç tha ai, “e duan Serbinë” dhe se e kanë vetëm një kryeqytet – Beogradin.

“Sot në Kosovën tonë të lavdishme ju jeni dikush përkundër dëshirës së atyre që janë askush. Uroj që ta doni Serbinë tuaj. Serbia nuk është diçka që është jashtë jush, ne do të jemi gjithmonë pranë jush, së bashku me ju. Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”, potencoi ai.

Gjatë fjalimit të tij para nxënësve, kreu i shtetit serb e përmendi Banjën, fshatin në Zveçan të Kosovës ku më 24 shtator të vitit të kaluar u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

“Faleminderit edhe nga Banja heroike të cilën po mundohen ta shpallin si vend të së keqes, duke mos ditur se sa vuajtje dhe të këqija i kanë shkaktuar edhe popullit tonë në veri”, pretendoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore