Kosova

Vuçiç: Delegacioni i Kosovës refuzoi takimin me palën serbe


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një prononcim para gazetarëve në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi, ka thënë se delegacioni i Kosovës në Moldavi – që kryesohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – ka refezuar që të takohet me palën serbe, dhe shtoi se situata e krijuar në Veri të Kosovës e ka marrë vëmendjen e samitit.

“Fatkeqësisht u bë kryefjala e vetë samitit, foli Osmani, fola edhe unë, ata nuk deshën asnjë takim me delegacionin serb, i cili nuk u miratua. Është gjithnjë e më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, pretendon Vuçiç.

Ndërkaq, kreu i Serbisë potencoi se në takimet që ka pasur gjatë ditës me liderët evropianë në samitin në Moldavi, “kam biseduar me të gjithë për Kosovën”.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim para gazetarëve në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi, ka thënë se arsyeja kryesore e pjesëmarrjes së saj në këtë Samit ka të bëjë me kërkimin e përkrahjes nga partnerët ndërkombëtarë me qëllim të luftimit të grupeve kriminale në Veri që po destabilizojnë vendin.

Serbia po shërben për një kohë të gjatë si satelit i Rusisë, prandaj Osmani ka deklaruar se është e rëndësishme të takohet me liderët evropian për t’iu shpjeguar se çka po ndodh aktualisht në Veri.

“Serbia ka shërbyer si satelit i Rusisë. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahje të partnerëve për t’i luftuar këto tendenca dhe të parandalohet ndikimi i këtyre. Kam takime me të gjithë liderët që marrin pjesë në këtë samit. Është me rëndësi që të kërkojmë përkrahjen, por edhe të shpjegojmë se çka po ngjan në Veri. Po ashtu, do të kërkoj ndihmën e tyre që t’i luftojnë grupet kriminale në Veri që po destabilizojnë vendin tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet t’i ndalë veprimet destabilizuese, meqë bandat kriminale në Veri po i terrorizojnë qytetarët.

“Na duhet ndihma e aleatëve për të qenë më të fokusuar në luftimin e grupeve. Dihet kush i nxit këto grupe, pra presioni duhet të jetë te Beogradi që ta ndalin dhunën. Çdo zgjidhje mund edhe të fokusohet në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, ka shtuar ajo.

Osmani: Na duhet ndihma e aleatëve në Veri, presioni të bie mbi Beogradin  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore