Lajme

Vrasjet në Prishtinë, Çitaku: Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë


Vlora Çitaku

“Përtej dhimbjes dhe solidaritetit me familjarët e viktimave, dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë”, ka thënë Vlora Çitaku.

Këto komente, Nënkryetarja e Partisë Demokratike (PDK) i ka bërë përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, pas dy vrasjeve që ndodhën mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.

“Vrasje, plaçkitje, rrahje gjithandej. E tmerrshme”, shkroi ajo.

Ndryshe, të mërkurën kanë ndodhur dy vrasje në kryeqytet.

Fillimisht u raportua se një grua është vrarë me armë zjarri në Prishtinë, përkatësisht në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa trupi i saj është gjetur në një veturë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete”, tha fillimisht Ahmeti për AP.

Ahmeti bëri me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim  dhe  ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, shtoi.

Viktima është gruaja e Naim Murselit – këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ngjarja e rëndë që ka ndodhur dyshohet se ka të bëjë me plaçkitje.

Të shtëna me armë në Prishtinë, vritet një grua

Ndërsa, në orët e mbrëmjes të së mërkurës, një person është therur për vdekje, derisa është zbuluar identiteti i vrasësit, i cili është duke u kërkuar nga policia.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 22:00  policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor, në rrugën ‘Ali Vitia’, në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore”, tha fillimisht Ahmeti për AP.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, shtoi.

Ahmeti bëri me dije se personi i dyshuar për këtë vrasje, është identifikuar dhe se i njëjti është duke u kërkuar.

“Aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit (i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për  ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”.

Vritet një person me thikë në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore