Lajme

Vrasjet në Kosovë, deputeti Berisha kërkon të vendoset “ora policore”


Kryetari i Komision për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, pas tri vrasjeve që ndodhën brenda gjashtë ditëve në Kosovë, ka kërkuar të vendoset ora policore.

“I bëj thirrje drejtorit të policisë të dal me plan konkret, duke ndërmarrë veprimet e duhura, që kjo gjendje të stabilizohet. Orë policore”, ka shkruar ai në Facebook.

Berisha ka theksuar se “ngritja e nivelit të dhunës ditëve të fundit na ka shqetësuar të gjithëve tej mase”.

“Para se të gjejmë fajtorin dhe të flasim për fenomenin apo për defektet të mos efikasitetit të sistemit të sigurisë, rendit dhe drejtësisë në vendin tonë”.

Vetëm brenda këtij muaji tre persona janë vrarë në Kosovë nga të shtënat me armë zjarri.

Tri ditë më parë një person u vra në Klinë, ndërsa më 5 gusht pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person është vrarë dhe 17 të tjerë janë lënduar në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë.

Kurse njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incident mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

Për sociologun, Jeton Brajshori, ky fenomen shqetësues dëshmon se shoqëria kosovare është në një krizë të thellë.

“Problemet a mëhershme të grupeve kriminale tani më po barten në lokale ku viktima mund të jenë njerëz të pafajshëm. Vrasjet e fundit kanë treguar një dështim total të sistemit gjyqësor, ku grupet kriminale dhe personat me aktakuza enden lirshëm të armatosur vetëm 100 metra larg stacionit kryesor të policisë”, tha Brajshori për Albanian Post.

Sipas tij, kjo lë të nënkuptojmë se gjyqësori kontrollohet “nga grupet kriminale”, ndërsa grupet kriminale e kanë përkrahjen e politikës qysh nga paslufta”.

Problemi i shoqërisë kosovare s’është papunësia, por siguria – tri vrasje brenda javës për “qërim hesapesh”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore