Lajme

Problemi i shoqërisë kosovare s’është papunësia, por siguria – tri vrasje brenda javës për “qërim hesapesh”


Në më pak se 1 javë tre persona janë vrarë në Kosovë dhe disa të tjera kanë mbetur të plagosur. Të tri vrasjet kanë ndodhur në ambiente publike me fluks relativisht të madh. Për sociologun, Jeton Brajshori, ky fenomen shqetësues dëshmon se shoqëria kosovare është në një krizë të thellë.

Vrasjet e njëpasnjëshme të cilët po ndodhin për “qërim hesapesh” në mes të grupeve të caktuara, sipas Brajshorit janë tregues i qartë se problemi kryesor i shoqërisë kosovare tashmë nuk është papunësia, por siguria.

“Problemet a mëhershme të grupeve kriminale tani më po barten në lokale ku viktima mund të jenë njerëz të pafajshëm. Vrasjet e fundit kanë treguar një dështim total të sistemit gjyqësor, ku grupet kriminale dhe personat me aktakuza enden lirshëm të armatosur vetëm 100 metra larg stacionit kryesor të policisë. Kjo lë të nënkuptojmë se gjyqësori kontrollohet nga grupet kriminale, ndërsa grupet kriminale e kanë përkrahjen e politikës qysh nga paslufta”, thotë Brajshori për Albanian Post.

Brajshori beson se katalizatori i shpeshtimit të vrasjeve është edhe segregacioni që po bëjnë disa lokale duke i seleksionuar klientët e tyre.

“Kjo normalisht e prek egon e gjithsecilit dhe është shkaktar i shumë problemeve të mundshme. Në qoftë se nuk ka Vetting të thellë për të pastruar sistemin gjyqësor, atëherë do te kemi një të ardhme jo stabile dhe se dëshira për të migruar jashtë vendit do të jetë gjithnjë e më e madhe. Fajin për këtë gjendje e kanë institucionet përkatëse të cilat kanë dështuar që 24 vite të vënë rend dhe barazi për të gjithë”.

Fenomeni i zgjidhjes së një problemi personal në ambiente publike të cilët po përfundojnë me fatalitet e plagosje edhe të kalimtarëve të rastit përveç që është tronditës po e bënë jetën e frikshme në Kosovë.

Kështu të paktën deklaron edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës i njohur ndryshe si KDI, Ismet Kryeziu.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Kryeziu, ka kërkuar edhe përgjigje konkrete nga institucionet e shtetit se a janë të parandalueshme këto ngjarje dhe çfarë po bëhet për t’i evituar ato.

“Cilat janë arsyet dhe shkaqet që këto vrasje janë bërë më të shpeshta dhe kanë marrë tendenca shqetësuese dhe të frikshme për sigurinë e qytetarëve?”, ka pyetur ai ndër të tjera.

Çfarë ndodhi?

Për gjashtë ditë, tre persona janë vrarë në Kosovë, duke lënë gjithashtu disa të plagosur.

Vrasja e parë ka ndodhur në një lokal në Prishtinë, ku mbeti një preson i vrarë e disa të lënduar. Vrasja e dytë ndodhi më 7 gusht në Komunën e Klinës. Vrasja po ashtu ndodhi një nga lokalet e kësaj komune.

Vrasja e tretë ku mbeten edhe tre të plagosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në fshatin Runik të Skenderajt në një lokal. Si pasojë një 39-vjeçar humbi jetën. Viktima është një 39-vjeçar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore