Lajme

Vrasja në Skenderaj, njërit nga të plagosurit i amputohet këmba


Njërit nga të plagosurit në Skenderaj ku mbeti i vrarë një person është dashur t’i amputohet këmba për shkak të lëndimeve të rënda që kishte marr nga të shtënat me armë zjarri.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Shaqir Uka, shef i repartit të Intensives në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Intervenimi ka qenë shumë serioz në regjionin e këmbës së djathtë. Ka humbur shumë gjak, po tentojmë ta stabilizojmë gjendjen e tij shëndetësore”, tha Uka.

“Në bazë të ekzaminimit që është bërë dhe gjatë intervenimit kirurgjik është parë që pjesa e nëngjurit të këmbës të djathtë është dashur të amputohet si shkak i dëmtimeve të pariparueshme”.

Uka ka treguar se mjekët janë duke punuar që ta stabilizojnë gjendjen e përgjithshme të plagosurit.

Ndërsa gjendja e të plagosurve të tjerë sipas Ukës është jashtë rrezikut për jetë.

Ai ka treguar se dy të plagosurit e tjerë kanë marr lëndime në pjesën e gjurit dhe shputës.

Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Sipas policisë, një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në lokal kanë shtënë me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur”.

Po ashtu në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore