Lajme

Votimi nga diaspora – KQZ ka pranuar 1 mijë e 932 pako me fletëvotime


Ilustrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më 1 tetor ka pranuar 1 mijë e 932 pako me fletëvotime nga jashtë për zgjedhjet lokale.

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se pakot me fletëvotime janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës 24 orë.

“Deri më 1 tetor KQZ-ja ka pranuar 1 mijë e 932 pako me fletëvotime të cilat janë tërhequr nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Pakot me fletëvotime janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës për 24 orë, ndërkaq hapësirat e brendshme janë në vëzhgim të kamerave”, ka thënë Ahmetaj, në mbledhjen e KQZ-së të shtunën.

Ndërsa, zëdhënsi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi gjatë së shtunës ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve votuesve të cilët do të shkojnë për të votuar, nuk do t’iu kërkohet të dëshmojnë se a janë të vaksinuar, por kjo nuk do të vlejë për komisionarët dhe vëzhguesit, për të cilët masat janë më rigoroze.

Ilustrim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negativ në testin për Covid-19. Nga votuesit, KQZ kërkon zbatimin e masave që tashmë janë të njohura. Këto masa, të cilat kanë ardhur si rekomandime dhe këshilla nga institucionet shëndetësore, janë miratuar nga KQZ-ja në udhëzimin për masat që duhet të zbatohen nga votuesit dhe stafi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve”.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Afati për aplikim nga diaspora për regjistrim për zgjedhjet e 17 tetorit ka përfunduar më 18 gusht.

Gjatë periudhës 40 ditore, shtetasit e Kosovës më të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës kanë pasur mundësinë të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore