Lajme

Votëbesohet në Parlamentin e Italisë qeveria e Meloni-t


Qeveria e re e Giorgia Meloni-t e ka marrë votëbesimin.

Ajo ka fituar besimin e Dhomës së Deputetëve me 235 vota pro dhe 154 vota kundër. Sakaq, në votim ka pasur edhe pesë vota abstenim.

Kryeministrja e sapo zgjedhur ka falënderuar të gjitha forcat politike teksa ka ravijëzuar se duhet një ringjallje e Italisë.

“Nesër do të jem në Senat për një tjetër hap të rëndësishëm. Le të shkojmë përpara”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.

Më herët, Meloni ka mbajtur fjalimin e saj të besimit në sallën e Dhomës së Deputetëve.

“Solemniteti i këtij vendi është i tillë që nuk kam mundur të ndërhyj kurrë pa emocion dhe respekt, pavarësisht sa e kam vizituar. Sot është edhe më e vërtetë”, ka thënë ajo.

Për të, ky është një moment i madh përgjegjësie për të gjithë dhe ka falënderuar paraprakisht të gjithë të pranishmit, “pavarësisht zgjedhjes që do të bëjë secili prej deputetëve”.

Po ashtu ka falënderuar edhe presidentin Mattarella “për këshillat e çmuara”.

Ajo është ndalur te afatet e ngushta për formimin e qeverisë, duke pretenduar unitetin e qendrës së djathtë dhe duke theksuar se si Italia nuk mund të humbasë kohë në situatën aktuale ekonomike.

Nga ana tjetër, Meloni ka vënë në dukje edhe emocionin e “të qenit gruaja e parë që drejton qeverinë e këtij vendi”.

“Kur mendoj për këtë, mendoj për të gjitha gratë që e kanë të vështirë të shohin talentin e tyre të njohur ose lodhjen e tyre të përditshme. Por mendoj edhe për të gjithë ata që ndërtuan shkallët që më lejuan të ngjitesha këtu”, ka vijuar ajo.

Italia, për të parën herë, do të ketë në krye të qeverisë një grua.

Meloni do të udhëheqë për katër vite qeverinë italiane falë koalicionit me ish-kryeministrin Silvio Berlusconi të partisë “Forza Italia” dhe Matteo Salvini-it nga “Lega”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore