Shqipëria

Vorën e merr PS-ja, PD-ja në rënie të lirë


Rezultatet paraprake të Bashkisë Vorë kanë dalë në dritë, të shpallura nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe fitues, është kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera.

Socialisti ka arritur të marrë shumicën me 7 mijë e 530 vota, sipas rezultateve paraprake.

Ndjekës i tij, është Lulzim Vrana, i koalicionit Shtëpia e Lirisë. Vrana arriti të marrë 2 mijë e 589 vota.

Ndërsa, kandidati i Partisë Demokratike, Ymer Marku, ka rezultuar i fundit nga votimet, me vetëm 687 vota.

Duket se betejën brenda PD-së, mes grupimit Basha dhe atij Berisha, e ka marrë ky i fundit në Vorë.

Pjesëmarrja në Vorë ndërkohë ka qenë tepër e ulët, në nivelin e 30%. Sipas komisionerit, kjo ka ardhur për një sërë arsyesh, si kushtet e këqija atmosferike, apo edhe vetë fakti se këto zgjedhje, vlejnë vetëm për një mandat një-vjeçar në krye të bashkive.

Nga palët, mbi rezultatin paraprak të Vorës, ende nuk ka një reagim.

Përpos faktit se rezultati përfundimtar do të shpallet nga Komisioni i Numërimit në Vorë, duke qenë se votimi ka qenë elektronik, shanset për gabime janë thuajse në zero dhe rezultati mund të merret plotësisht si i saktë.

Për sa i përket pesë bashkive të tjera, rezultatet e para pritet të fillojnë të dalin gjatë të hënës së 7 marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore