Lajme

Von der Leyen në RMV: Gjuha maqedonase është gjuha juaj


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi para deputetëve në Kuvendin e RMV-së, se propozimi francez nuk rrezikon as identitetin, as gjuhën maqedonase.

“Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Po e përsëris, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht këtë”, u shpreh fillimisht zyrtarja e lartë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar fjalën e von der Leyen në Kuvend.

Sipas saj, ky është momenti që RMV-ja të vazhdojë përpara drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian.

“Shumë prej jush do të jenë të frustruar për shkak se shteti juaj ende nuk ka filluar negociatat. Për të thënë të drejtën, edhe unë jam”, shtoi von der Leyen.

Ajo nënvizoi se RMV-ja së bashku me BE-në e ndoqën ëndrrën për një të ardhme të përbashkët.

“Këtë ëndërr do ta shndërrojmë në realitet”, garantoi zyrtarja evropiane.

Me thirrjen që të “kenë shikimin për nga e ardhmja”, von der Leyen ftoi deputetët maqedonas që të fillojnë negociatat dhe të punojnë së bashku për rrugën që i çon drejt BE-së.

“Këtë mund ta bëjmë edhe javën e ardhshme nëse e marrim hapin e parë me propozimin francez”, vërejti shefja e KE-së.

Në përmbyllje të fjalës, von der Leyen theksoi se vendimi është i maqedonasve dhe vetëm i tyre.

“Në fund të fundit, bëhet fjalë për rrugën që ju e zgjodhët, ashtu siç e zgjodhët edhe më parë me marrëveshjen e Ohrit, me atë të Prespës dhe ndërtimin e demokracisë. Nëse vendosni të miratoni propozimin francez, ditët në vijim do të organizohet Konferenca e parë Ndërqeveritare”, ravijëzoi presidentja e Komisionit Evropian.

Seanca

Në mesin e një klime të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të fillojë të enjten e 14 korrikut diskutimin për propozimin francez.

Transmetuesi “Alsat” ka zbuluar tre pika nga konkluzionet që gjenden para deputetëve maqedonas.

Në propozime thuhet se Kuvendi i RMV-së, duke u nisur nga interesat kombëtare, dhe strategjike për anëtarësim në BE, e obligon qeverinë t’i vazhdojë bisedimet me BE-në.

Kjo, me qëllim të zhbllokimit të proceseve euro-integruese dhe të miratohet korniza negociuese e cila përmban parimet dhe standardet evropiane.

Gjithashtu obligohet qeveria që përmes delegacioneve të saj të cilat janë pjesë e bisedimeve që t’i përmbahen përcaktimit për respektim pa kushte gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në.

Së treti, qeveria është e detyruar që në kornizën negociuese gjuha maqedonase të figurojë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnota.

LSDM-ja ka përgatitur propozime të cilat do ta detyrojnë qeverinë maqedonase që të mos negociojë për identitetin.

VMRO-DPMNE-ja thotë se konkluzionet nuk do të kenë asnjë peshë nëse nuk e ndryshojnë kornizën negociuese.

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski bëri thirrje të mërkurën e 13 korrikut që deputetët të mendojnë si “burra shteti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore