Lajme

Von der Leyen: Kosova dhe Serbia t’i përmbushin angazhimet e marra nga dialogu


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë për media pas Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, nga Brukseli ka thënë se Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar zbatimi i obligimeve që kanë marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni, derisa marrëveshjen e Ohrit e ka konsideruar si hap të rëndësishëm që e kanë bërë palët.

“Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është rruga përpara dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në Veri të Kosovës në veçanti për rrymën dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka deklaruar Von der Leyen.

Këto komete, Von der Leyen i bëri derisa fliste për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ne duam të hapim sa më shpejt negociatat e anëtarësimit për të ashtuquajturin grup themelor të parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ajo.

Sa i përket Bosnje e Hercegovinës, presidentja e KE-së deklaroi se besojnë që mund t’i hapin negociatat e anëtarësimit “pasi të jetë arritur shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit”.

“Sa i përket Malit të Zi, vendi po përjeton një vrull të ri falë qeverisë së re që e shtyn atë të kthehet në rrugën e duhur në rrugën e pranimit”.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit që ka pasur me Presidenten e Komisionit Evropian në kryeqendrën evropiane Bruksel, ka ritheksuar nevojën e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur si pasojë e veprimeve të qeverisë në Veri.

Përmes një postimi në Facebook, e para vendit ka thënë se në këtë takim ka theksuar edhe rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, “si sinjal i qartë që vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”.

“Mirëpresim ‘Planin e Rritjes’, të prezantuar nga Presidentja Von der Leyen, për të cilin Kosova tashmë ka prezantuar planin konkret për reforma”, përfundoi ajo.

Osmani i kërkon Von der Leyen-it heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore