Lajme

Von der Leyen dënon “shantazhin” e Rusisë për ndërprerjen e gazit në Poloni dhe Bullgari


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar Rusinë për përpjekjen për të “shantazhuar” Evropën pasi gjigandi rus i energjisë Gazprom konfirmoi se kishte ndërprerë furnizimin me gaz në Poloni dhe Bullgari.

Ajo tha se, “njoftimi nga Gazprom se po ndalon në mënyrë të njëanshme dërgimin e gazit për klientët në Evropë është një përpjekje tjetër e Rusisë për të përdorur gazin si një instrument shantazhi”.

“Kjo është e pajustifikuar dhe e papranueshme dhe tregon edhe një herë mosbesueshmërinë e Rusisë si furnizues i gazit”.

Sakaq ajo shtoi se, ata janë të përgatitur për këtë skenar. “Jemi në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare. Ne kemi punuar për të siguruar dërgesa alternative dhe nivelet më të mira të mundshme të ruajtjes në të gjithë BE-në”, vijoi von der Leyen.

Von der Leyen tha se BE-ja kishte bërë plane emergjente për një situatë të tillë dhe se bisedimet e krizës po zhvilloheshin në Bruksel.

“Shtetet anëtare kanë vendosur plane emergjente pikërisht për një skenar të tillë dhe ne kemi punuar me ta në koordinim dhe solidaritet. Një takim i grupit të koordinimit të gazit po zhvillohet pikërisht tani”, tha ajo.

Ndër të tjera ajo shtoi se, “ne po hartojmë përgjigjen tonë të koordinuar të BE-së. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar flukse alternative”.

“Evropianët mund të besojnë se ne qëndrojmë të bashkuar dhe në solidaritet të plotë me shtetet anëtare të prekura përballë kësaj sfide të re. Evropianët mund të mbështeten në mbështetjen tonë të plotë”, e përmbylli mesazhin ajo.

Çfarë ka ndodhur?

Gjigandit rus i gazit, Gazprom, ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Kompania paralajmëroi një ditë më parë dy shtetet, pasi nuk pranuan të paguanin në rubla ruse vlerën e tij.

Në orët e vona të së martës, ishte Ministria bullgare e Energjetikës, ajo e cila dha të njëjtin lajm: Bulgargaz, nuk do të merrte më furnizim prej së mërkurës.

Nga vetë Sofja, u tha se ishin marrë masa për të zgjidhur problemin, nëpërmjet alternativave të tjera. Marrëveshje sipas tyre, për furnizimin me gaz nga vende të treta janë kryer, por asgjë specifike nuk u bë publike.

Polakët nga ana tjetër, nuk dihej si do të vepronin. Ata janë shteti që ka mirëpritur më së shumti refugjatë ukrainas dhe kanë qenë të palëkundur në retorikën e tyre kundër agresionit. Ndaj, po vuajnë një pasojë të politikave të Vladimir Putinit, të cilat ai i ka bërë me dije që në fund të marsit.

Asokohe, Putini tha se vendet të listuara si “jomiqësore” nga Kremlini, do të duhet ta paguanin gazin e lëngshëm në rubla ruse, ose përndryshe kontratat do të ndërpriteshin.

Vendet perëndimore nuk e pranuan këtë kusht dhe Polonia ishte një prej tyre. Më 12 prill madje, PGNiG-ja nxorri edhe një njoftim për shtyp, ku thuhej se kishte refuzuar të pranonte dekretin e Kremlinit dhe çdo ndërprerje e furnizimit, do të ishte një shkelje e rëndë në kontratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore