Kosova

Von Cramon: Dënoj veprimet në Veri, nevojitet përmbajtje nga të dyja palët dhe zbatim i marrëveshjes


Von Cramon gjatë vizitës në Kosovë.

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, ka reaguar ndaj situatës së fundit në katër komunat veriore ku ka bërë thirrje për paqe.

Von Cramon përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, ka kërkuar nga të dyja palët që të përmbahen.

“Dënoj dhunën dhe veprimet në veri. Nevojitet përmbajtja nga të gjitha palët dhe angazhim i plotë ndaj dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, si dhe zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjeve të arritura”, ka shkruar Von Cramon.

Teksa ka pohuar se do të mbështesë edhe Lajçak-un në “përpjekjet e tij”.

Von Cramon përmes një cicërime tjetër në rrjetin social ‘Twitter’ ka kumtuar lajmin se ka nisur vizitën e saj në Kosovë.

Takimin e parë të saj ajo e ka zhvilluar me mediat në Kosovë.

“Duke filluar vizitën time në Kosovë me përfaqësuesit e OSHC-ve dhe mediave për të marrë njohuri mbi situatën e djeshme në Veri dhe zhvillimet aktuale përpara se të takohem me zyrtarë qeveritarë”, ka shkruar Von Cramon.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it, (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore