Lajme

Vitia thotë se shërbimi i “sedacionit inhalatorë” do të ofrohet për herë të parë në Kosovë


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Për herë të parë në Kosovë, ka nisur shërbimi i sedacionit inhalatorë në Klinikën e Stomatologjisë ne Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Edhe një shërbim i ri këtë vit – stomatologjia publike me “Sedacionin inhalator (N2/02)”. Për herë të parë ky shërbim stomatologjik pediatrik, do të funksionalizohet në vendin tonë”, ka thënë ministri.

Ai ka sqaruar edhe shërbimet që ofrohen përmes sedacionit inhalator.

“Lehtësohet përballja me trajtimin, reduktohet frika dhe ankthi gjatë trajtimit, rrit pragun e ngacmueshmërisë së dhimbjes, minimizohen lëvizjet e padëshirueshme dhe reagimet ndaj trajtimit stomatologjik, përmirësohet komunikimi dhe bashkëpunimi i pacientit me mjekun”.

Sipas ministrit, fillimit të shërbimit me sedacion inhalator i ka paraprirë hartimi i udhërrëfyes klinik i punuar nga ekspertët tanë.

“Tani Qendra Klinike Stomatologjike Universitare u pajisë me aparaturën e veçantë për këtë shërbim. Shërbimet stomatologjike dhe edukimin parandalues tek fëmijët i kemi prioritet”.

“Së shpejti me risi  jashtëzakonisht të dobishme nga kjo Qendër”.

Më 13 dhjetor, Vitia kishte bërë të ditur se edhe pajisja e re mjekësore ultrazëri endoskopik do të jetë për përdorim nga janari në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke thënë se është nga të vetmit në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore