Lajme

Vitia: Ultrazëri endoskopik do të jetë në përdorim nga janari në QKUK – i vetmi në Ballkanin Perëndimor


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se pajisja e re mjekësore ultrazëri endoskopik do të jetë për përdorim nga janari në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke thënë se është nga të vetmit në Ballkanin Perëndimor.

Lajmin e ka bërë të ditur Vitia përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Filloi instalimi i “Ultrazërit Endoskopik. Ultrazëri endoskopik që do të jetë në përdorim prej janarit në QKUK, është nga të vetmit në ballkanin perëndimor”.

“Ky shërbim deri tani është marrë vetëm jashtë vendit dhe ka kushtuar 1200 euro ndërsa metoda terapeutike deri 2000 euro. Së shpejti ato do të jepen pa këto kosto në QKUK”, ka shkruar Vitia.

Teksa, ka treguar shërbimet që mundëson ultrazëri endoskopik.

“Diagnostikën e sëmundjeve të pankreasit dhe organeve përreth, biopsinë e pankreasit. Ky aparat mund të zbulojë kancerin e pankreasit me ndjeshmëri më të lartë se CT dhe MRI”.

Ai tutje ka thënë se së shpejti në QKUK do të nis puna edhe me pajisjet “Sentinel Node” dhe pet scan.

“Në muajt e parë të vitit 2024 fillon puna me pajisjet “Sentinel Node” dhe PET SCAN. Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale do të fillojë puna me “Sentinel Lymph Node Biopsy” e para në sistemin tonë shëndetësor”.

“Kjo teknikë përdoret për identifikimin e gjëndrave limfatike të infiltruara, me malinitet të lartë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka sqaruar edhe shërbimet e këtyre aparaturave shëndetësore.

“PET SCAN (Positron Emission Tomography Scan) është aparaturë e avancuar që përdoret për të identifikuar tumorë, për të vlerësuar shpërndarjen e sëmundjes, për  monitorimin e efekteve të  trajtimit, dhe për të vlerësuar funksionimin e organeve”.

“Të treja këto pajisje e teknika do të ulin ndjeshëm shpenzimet e pacientëve për diagnostikim”.

Vitia, ka paralajmëruar se transformimi klinikë për klinikë do të vazhdoj.

Nga pacientët në secilën klinikë pothuajse ka pasur ankesa të vazhdueshme për mungesë të shërbimeve dhe mungesë të aparaturave që kanë detyruar pacientët të largohen jashtë vendit për shërim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore