Lajme

Vitia: Rinovimi në Klinikën e Kardiokirurgjisë është duke u bërë sipas standardeve evropiane


Klinika e Kardiokirurgjisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Klinika e Kardiokirurgjisë është duke u rinovuar sipas standardeve evropiane.

Vitia, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se në këtë klinikë gjithçka do të transferohet.

“Është ulur lista e pritjes për pacientët nga 1 vit në 3 muaj. Aktualisht po punohet në renovimin e riorganizimin e klinikës në tërësi. Në mjekimin intensiv të klinikës u rrit numri nga 4 në 10 shtretër”, ka shkruar Vitia.

Duke shtuar se, “dhomat për infeksione të rënda po izolohen sipas standardeve evropiane”.

Sipas tij, procesi i renovimit dhe riorganizimit do të funksionoj në përputhje me nevojat dhe standardet kardiokirurgjike.

“Numri i shtretërve në repart është rritur. Klinika do ta ketë depon për barna, hapësirën për materiale kirurgjike, arkivin dhe dhoma për personelin shëndetësor. Janë duke u riorganizuar sporteli edhe po bëhen nyje sanitare të reja”.

Më 29 shkurt, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se as Fondi i Gjermanisë s’do ta përballonte mbingarkesën që është në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“S’ka buxhet në botë që e përballon këtë mbingarkesë. Kjo mënyrë e funksionimit do të kishte falimentuar edhe një fond si Fondi i Gjermanisë dhe këtë e kemi gjetur dhe këtë kulturë e keni instaluar”.

Sipas Vitisë, nga deputetët paraprak u paraqitën shumë gënjeshtra në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai ka theksuar se të gjitha këto probleme janë trashëguar nga pushtetet e kaluara.

Vitia, në seancën e Kuvendit ku po diskutohej për shëndetësinë ishte kritikuar nga ish ministri i Shëndetësisë dhe njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj si dhe nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj për situatën në të cilën është shëndetësia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore