Lajme

Vitia për koeficientin: Si ministër do të doja paga më të larta për stafin shëndetësor


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia koeficienti i ri më së miri ka adresuar dhe rritur nivelin e rrogave te personeli shëndetësore.

Por si mjek dhe si udhëheqësi i këtij dikasteri “do të donte paga edhe më të larta”.

“Koeficienti i ri më së miri e ka adresuar dhe ka rritur nivelin e rrogave të personelit shëndetësor. Nëse më pyesni mua si mjek dhe ministër i Shëndetësisë, kisha dashur të ishin akoma më të larta. Mirëpo, kjo kategori ka përfituar pagat më të larta nga ky koeficient”.

“Në anën tjetër, jemi të përkushtuar që përveç përmirësimit të kushteve, që janë edhe në aspektin infrastrukturor por edhe në mjetet e reja të punës, që të kemi temë bisedimi edhe inciativa tjera për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët shëndetësorë”, deklaroi Vitia.

Ai në konferencë për media pas vizitës në Ferizaj, theksoi se do të ketë edhe shtesa për personelin shëndetësor që punon vetëm në sektorin publik.

“Për personelin shëndetësor, të cilët zgjedhin të punojnë vetëm në sektorin publik, do të ketë shtesa. Natyrisht, do të ketë edhe shtesa të tjera që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë në vendin e punës dhe tjera, të cilat ne do t’i diskutojmë në mënyrën më të sinqertë me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, me të cilën nga takimi që kam pasur, nuk janë fare të interesuar të hyjnë në grevë”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

I pyetur se si po ndihet pas rikthimit në postin e ministrit të Shëndetësisë për herë të tretë konsideron se pas përvojës në këtë pozitë është i njoftuar mirë lidhur me problemet që e presin.

“Unë jam për të tretën herë, është e vërtetë që shumë po më thonë ‘veteran’. Herën e parë kam qenë katër muaj, prej të cilëve 2.5 në detyrë, ku bashkë me kryetarin Aliu dhe kryetarët e komunave tjera mendoj se kemi bërë punë të mirë, ka qenë mandati i dytë ku kam qenë 6 muaj ku ka qenë procesi i vaksinave”.

“Një që është e vetmja e mirë që është që është përmendur në Raportin e Progresit në shëndetësi dhe tani është hera e tretë që tani është 1 muaj. Do të thotë 11 muaj në total unë kam qenë në zyrën e ministrit të Shëndetësisë, natyrisht me përgjegjësinë mbi supe dhe i vetëdijshëm për problemet që na presin”, u shpreh ai.

Ministri i Shëndetësisë refuzoi të komentoj arsyen e dorëheqjes së ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Raçit.

“Ajo çka kam lexuar nga dorëheqja e ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, Pranvera Raçi nuk koincidon me atë që thoni ju. Unë e kam falënderuar personalisht për kontributin dhe dinamikën që i ka shtuar ShSKUK-së. Ka qenë një dorëheqje, edhe pse kemi pasur një takim, të cilën e kam pranuar”.

Teksa, ka potencuar se janë në fazat finale për emërimin e drejtorit të ri në këtë institucion.

“Jemi në fazat finale, statuti i ShSKUK-së është në fazat finale teknike për të ecur tutje. Menjëherë pas nënshkrimit të këtij statuti do të ketë konkurs për drejtor të ShSKUK-së”, tha Vitia.

Vlera e koeficientit për rreth 83 mijë punëtorë të shtetit ishte 120 euro dhe pritej që me Ligjin e Ri të Pagave do shkonte në 130, ose së paku vlerën koeficienti ta mbante të njëjtë, e të rritej numri i koeficientit në paga, por s’ka ndodhur as njëra dhe as tjetra, prandaj nga Sindikata e Ministrisë së Shëndetësisë deklaruan për Albanian Post se ka mundësi që do ta dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

 

Jo më shumë, as aq sa ishte, as më pak, por shumë më pak u përcaktua vlera – vetëm 105 euro.

Përkundër se veç këtë të mërkurë u mor vesh koeficienti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore