Lajme

“Kërkuam vlerë të koeficientit 130 euro… së paku 120 – s’u bë asnjëra”, Sindikata e Shëndetësisë ankesën gati për Kushtetuese


QKUK

Vlera e koeficientit për rreth 83 mijë punëtorë të shtetit ishte 120 euro dhe pritej që me Ligjin e Ri të Pagave do shkonte në 130, ose së paku vlerën koeficienti ta mbante të njëjtë, e të rritej numri i koeficientit në paga, por s’ka ndodhur as njëra dhe as tjetra, prandaj nga Sindikata e Ministrisë së Shëndetësisë thonë për Albanian Post se ka mundësi që do ta dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri, deklaron për AP se i ka befasuar vlera e koeficientit, të cilën qeveria prej muajsh e mbante të fshehur.

“Vlerën e kemi kërkuar që të jetë 130 euro, nëse jo 130 euro gjithsesi duhet është dashur të jetë 120 euro”, thotë Imeri për AP.

Se kur do të reagojnë dhe në çfarë forme, do ta vendos Këshilli i Sindikatës thotë ajo.

“Duhet me pa si është gjendja dhe ne sot nuk do të dalim me asnjë qëndrim. Ankesën e kemi të gatshme që ta dërgojmë në Kushtetuese, në rast se Këshilli Drejtues vendos ta dërgojë ne sot do ta procedojmë menjëherë. Nëse jo, atëherë vazhdon kështu, gjithçka do t’i mbetet në duar Këshillit Drejtues si organit më të lartë për vendimmarrje”, deklaroi Imeri.

Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri.

Përtej dërgimit në Kushtetuese, opsion janë edhe grevat, pohon Imeri, por fillimisht duhet të shihet në çfarë niveli është pakënaqësia e punëtorëve të shëndetësisë.

“Nga stafi shëndetësore akoma nuk e di sa janë të kënaqur, ndoshta do të vendosim greva, e ndoshta do ta dërgojmë në Kushtetuese. Gjithçka do ta bëjë publike gjatë ditës së nesërme”.

Për disa muaj rresht Qeveria e Kosovës kishte lënë në pritje punëtorët.

Në një temë të realizuar nga Albanian Post me 27 janar, nga sindikatat thanë se ata janë lënë në mjegull, sepse s’janë ftuar për t’u konsultuar rreth ligjit e madje as për t’u informuar.

Si pasojë, rreth 83 mijë veta nuk e dinin sa do ta kenë pagën, ndaj shpreheshin të shqetësuar.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë Publike, Ali Gashi, në një bisedë për Albanian Post thoshte se sërish Qeveria është treguar jotransparencë dhe jokorrekte.

“Absolutisht deri më tani nuk kemi asnjë informatë zyrtare edhe pse ne kemi kërkuar vazhdimisht që të bëhet publike vlera e koeficientit”, tregonte Aliu.

Meqë s’kishin informacione, kishin shpresa, ndaj besonin se koeficienti i ri “do të kalojë shumën prej 130 eurove”.

“Qëndrimi ynë zyrtar është që ne kërkojmë që vlera e koeficientit të jetë jo më e ulët se 130 euro, por nëse Qeveria vendos që të përcaktojë një vlerë të koeficientit më shumë se 130 euro ajo do të jetë e mirëseardhur nga ana jonë”, pati pohuar Gashi.

Jo më shumë, as aq sa ishte, as më pak, por shumë më pak u përcaktua vlera – vetëm 105 euro.

Përkundër se veç këtë të mërkurë u mor vesh koeficienti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Barazi në varfëri, Qeveria ulë koeficientin e pagave për rreth 80 mijë vetave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore