Lajme

Vitia: Mostrat e të helmuarve në Deçan do të dërgohen jashtë vendit


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se janë bërë gati disa mostra për ujin në Deçan të cilat do të dërgohen jashtë Kosovës për analiza.

“Janë bërë disa analiza shtesë për disa viroza dhe kanë dalë negative. Sot janë përgatitur edhe një numër i mostrave për t’u dërguar jashtë vendit e që nuk mund të bëhen në Kosovë. Sot situata është më e qetë dhe ka fluks më të vogël të pacientëve”, ka thënë Vitia.

Po ashtu në Deçan sipas Vitisë, janë dërguar një kontingjent me barna të martën pasdite.

Ndërkaq ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka propozuar që “përmes programit për zhvillim të infrastrukturës të ndajë 150 mijë euro për mobilizimin e fshatrave në Deçan”.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje të ekzekutivit, udhëheqësi i mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka potencuar se të gjitha institucionet përgjegjëse janë mobilizuar për t’iu dal në ndihmë qytetarëve të Deçanit.

“Lidhur me rastin e komunës së Deçanit bashkëndjejmë helmimin e qytetarëve dhe dje atje ishin edhe ministrat Gërvalla, Vitia e Mehaj. Kemi siguruar resurset e nevojshme për Qëndron e Mjekësisë Familjare. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet për katër ditë me radhë. IKShPK-ja vazhdon hulumtimin kë terren. Nga barnatorja e QKUK ka shkuar një kontingjent i barnave për Deçan”, u shpreh Bislimi.

Qeveria e Kosovës ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës propozimin për kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Kërkesën për propozim e ka prezantuar zv.kryeministri Besnik Bislimi, por nuk i tregoi emrat e propozuar. OSHP-ja ka mbetur pa bord qysh nga fundi i muajit mars.

Po të njëjtën ditë, ujësjellësi “Hidrodrini”, njoftoi qytetarët që furnizohen me ujë nga ky ujësjellës rajonal, se uji ishte i sigurt.

“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.

“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.

Ndërkaq, institucionet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore