Lajme

Viktimat e tragjedisë së Bullgarisë mbërrijnë të enjten në Maqedoninë e Veriut


Autobusi i aksidentuar në Bullgari më 23 nëntor ku humbën jetën 46 persona

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka bërë të ditur se viktimat e tragjedisë së Bullgarisë mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut ditën e enjte më 2 dhjetor 2021.

Sipas tij, transporti do të organizohet me avion të Republikës së Bullgarisë deri në aeroportin e Shkupit dhe më pas do të vijohet me protokollet shtetërore.

“Pas komunikimit të sotëm me prokurorin bullgar Z. Sarafov përgjegjës për tragjedinë e 23 nëntorit në Sofje, dua të informoj se sjellja e kufomave të bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën në këtë tragjedi planifikohet për të enjten 2 dhjetor 2021”, tha Osmani për Alsat M.

“Qeveria bullgare iu përgjigj pozitivisht kërkesës sonë që transporti të bëhet me avion të R. Bullgarisë deri në aeroport të Shkupit, prej ku me protokoll shtetëror do dorëzohen familjarëve nëpër shtëpitë e tyre. Për detajet e tjera mbetem në komunikim të drejtpërdrejtë me familjarët dhe opinioni do të informohet në kohë”, ka bërë të ditur Osmani.

Ministri i Jashtëm, i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Prokurori bullgar: Nuk ka pasur shpërthim – viktimat janë asfiksuar nga tymi

Zëvendës Kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Safarov, ka publikuar informacionet zyrtare nga hetimi i deritanishëm lidhur me aksidentin e 23 nëntorit që u mori jetën 46 personave – mes tyre 12 fëmijë, ku vëren se viktimat janë asfiksuar nga tymi i zjarrit dhe nuk ka pasur shpërthim.

Fillimisht Safarov sqaroi se informacionet që qarkulluan se në autobus po transportoheshin lëndë djegëse “është hetuar dhe është hedhur poshtë kategorikisht”.

Zyrtari i drejtësisë e konsideroi si “të pabazë” – këtë njoftim që ka qarkulluar të mërkurën e 24 nëntorit në mediat bullgare apo maqedonase.

“Në autobus u gjetën tri shishe, që përmbanin vetëm mbetje vaji. Nuk ishin të mbushura dhe as të djegura. Rrjedhimisht, zjarri nuk është shkaktuar nga ato”, nënvizoi Sarafov gjatë fjalës së tij para medias.

Zëvendës Kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Safarov

Lidhur me hetimet e shkaqeve, zëvendës kryeprokurori bullgar, ravijëzoi se, deri më tani, dyshimi më i madh është “gabimi njerëzor ose sinjalizimi i dobët”.

Pas përfundimit të autopsive, Safarov tregon se të gjitha konfirmojnë se personat kanë vdekur si pasojë e mbytjes nga zjarri, e jo nga lëndimet e marra nga përplasja apo shpërthimi.

“Gjurmë tymi u gjetën në mushkëritë e tyre, që do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit”, tha më tej prokurori bullgar.

Të paktën 46 persona humbën jetën, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë Perëndimore.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore