Shqipëria

Vijon kthimi në shtëpi, 45 apartamente dhe 77 shtëpi individuale dorëzohen në Bubq


Edhe 45 apartamente dhe 77 shtëpi individuale u dorëzuan në Bubq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vijim të dorëzimit të shtëpive për familjarët që u preken nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, pasditen e 29 dhjetorit u ndal në Bubq.

Rama theksoi se këtij procesi do i shkohet në fund pavarësisht fjalëve “lart e poshtë”.

“Në Krujë, Durrës, Tiranë dhe Vorë ku puna vazhdon, ne do t’i shkojmë të gjithave deri në fund. Në Krujë ka filluar tani për probleme të panumërta të pronave të sistemit të gjithë hapësirës së përbashkët të projekteve të reja”, tha Rama në fjalën e tij.

Së bashku me të ishte edhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.

Ky i fundit deklaroi se janë 49 mijë familje përfituese nga procesi i rindërtimit.

Ahmetaj shtoi se tanimë janë hedhur themelet e 15 pallateve në Spitall, Durrës, e financuar nga Princi i Kurorës i Emirateve të Bashkuara.

Sa i përket donatorëve Rama shprehu respektin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar.

“Puna flet vetë pas gjithë baltave mos të humbas më asnjë minutë me ato që kanë kohë për të humbur”, theksoi Rama.

Duke bërë një rezyme të gjithë procesit, Ahmetaj tha se, “janë 214 pallate që kanë mbaruar në Durrës, Mirditë, Kamëz dhe Lezhë. Ndërsa janë në proces 171 pallate për riforcim”.

“1 mijë e 964 pallate janë bërë nga buxheti i shtetit dhe priten 613 pallate Kurbin, Lezhë, Durrës dhe Tiranë”, vijoi Ahmetaj.

Ndër të tjera Ahmetaj tha se përveç objekteve banuese, “me programin e fundit jo nga rëndësia janë objektet arsimore – 172 shkolla dhe kopshte nga të cilat janë 119 milionë dollarë vetëm për shkollat”.

“93 shkolla do të bëhen nga buxheti i shtetit, 74 nga donatorët dhe nga Komisioni Evropian dhe për pesë të tjera do të vendosen në janar nga buxheti i shteti dhe është në vlerësim e sipër”.

Rama e mbylli fjalën e tij duke ironizuar përplasje brenda Partisë Demokratike, “t’i gëzoni shtëpitë dhe sa më të sigurta bravat”, e përmbylli ai.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore