Shqipëria

Vijojnë takimet sensibilizuese, Bashkëqeverisja ndalet në Berat


Në turin e prezantimit të “Ligjit për Bashkëqeverisjen”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është ndalur në qytetin e Beratit.

“Në janar akses i plotë në shërbimet administrative përmes mjetit celular ‘smartphone’ apo kompjuterit dhe fillimi i mbylljes së sporteleve, duke i dhënë fund radhëve, zvarritjeve, ryshfetit”, theksoi Rama në fjalën e tij.

Gjatë këtij takimi sensibilizues u bë me dije se Ligji do të diskutohet të mërkurën në Komisionin e Ligjeve, dhe më pas do të pritet votimi në parlament.

Gjatë dy takimeve që ka zhvilluar në Elbasan dhe në Shkodër Rama ka bërë me dije se, “sot kemi një Shqipëri të re në aspektin e shërbimeve”.

Numri një i qeverisë ka thënë se Kadastra do të digjitalizohet komplet dhe synimi i kësaj është vetëm për faktin që, “pronësia të vijë në telefon ose kompjuter, pa pasur nevojë të shkoni në zyrat e shtetit”.

Ndër të tjera ai bëri të ditur për çdo kërkesë që qytetari nuk ka marrë përgjigje nga administrata, punonjësi përgjegjës do të sanksionohet financiarisht, përveç asaj administrativisht ose penalisht.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, iu është drejtuar qytetarëve se, “2.3 milionë persona kanë llogari në e-albania dhe marrin shërbimet që duan”.

Sipas ligjit, Agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative, të administratës shtetërore.

Pavarësisht se ligji është kthyer nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Rama ka deklaruar se do të miratohet ashtu siç është nga Parlamenti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore