Lajme

Vijnë reagimet pas liturgjisë së mbajtur nga serbët në kishën ortodokse në Prishtinë


Kisha Ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas liturgjisë së mbajtur nga serbët në kishën e cila gjendet në oborrin e kampusit të Universitetit të Prishtinës.

KMDLNj ka theksuar se rasti i mbajtjes së Liturgjisë në një objekt të papërfunduar dhe me status të parregulluar, konsiderohet si provokim.

“Në prag të vazhdimit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, Kisha Ortodokse serbe e mbajti Liturgjinë në Kishën Ortodokse Politike. Kjo kishë që moti është dashur të zhvendoset nga ajo hapësirë dhe vetëm oportuniteti politik i politikanëve vendorë dhe kërcënimi i faktorit ndërkombëtarë e ka mbajtur mbi këmbë. KMDLNJ e kundërshton manipulimin e fesë për qëllime politike”.

Kështu thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së, sipas të cilës, aktivitetet e tilla nuk duhet të lejohen në të ardhmen.

“KMDLNj tërheq vërejtjen se këto veprime provokuese të KOS – mund dhe do të provokojnë reagimin e studentëve të UP-së, me pasoja të paparashikueshme. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë që të parandalojnë eskalimin e situatës ndryshe do të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme”, thuhet në reagim.

Përveç këtij reagimi, edhe ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar duke e akuzuar Qeverinë e Kosovës për dhënien e lejës së këtij organizimi.

Ai ka thënë se pa ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga qeveria, nuk do të mund të sigurohej ardhja e Ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë.

Sipas tij, kjo liturgji më së paku është fetare dhe një liturgji që “është thellësisht politike, është e dhimbshme dhe e papranueshme”.

“Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviçit”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

“Prandaj, sot, fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiçit”, shtoi ai.

Edhe kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas mbajtjes së liturgjisë së sotme në kishën e krishterë ortodokse serbe duke thënë se është ofendim ndaj qytetarëve tanë.

“Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook

Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës që të reagojnë menjëherë për këtë rast.

Në këtë objekt fetar të papërfunduar të Kishës Ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, kjo është hera e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare që nga viti 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, ka thënë Peshkopi Teodosije.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Kjo Kishë Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha “Shpëtimtari i Krishtit”, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore