Shqipëria

Vigjilje e Pashkëve, krerët e shtetit urojnë besimtarët shqiptarë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar besimtarët shqiptarë në Vigjiljen e Pashkëve.

Kreu i shtetit u përcolli – besimtarëve të krishterë katolikë e ungjillorë dhe të gjithë popullit shqiptar – urimet “më të përzemërta”.

Kjo, për sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi.

Ngjallja e Krishtit, sipas Metës, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin.

Presidenti ka përfituar për të dhënë edhe një mesazh politik në urimin e tij.

“Për të ndërtuar një Shqipëri më të dashur dhe më të dhembshur, ku të ekzistojnë të gjitha hapësirat për një të ardhme të sigurt. Në këtë mënyrë do të ndalim shpopullimin dhe në veçanti largimin e të rinjve”, theksoi kreu i shtetit.

Në vigjilje të Pashkëve, një mesazh urimi ka ardhur edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Vigjilja e Pashkëve është vigjilja e rilindjes së jetës, dashurisë dhe shpresës”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare në median sociale “Facebook”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uroi gjithashtu besimtarët katolikë.

Në mesazhin e saj, kryeparlamentarja shprehet se festa e Pashkëve është një “festival besimi e lumturie” për të gjithë besimtarët katolikë.

Të dielën e 17 prillit, besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët.

Në orën 23:00 fillon mesha në Katedralen e Shën Palit.

Ky është momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike, i cili shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore