Lajme

Victoria – shteti i parë australian që ndalon shfaqjen e simboleve naziste


Prokurorja e Përgjithshme Viktoriane Jaclyn Symes (©:James Ross/AAP)

Victoria do të bëhet shteti, ose territori i parë australian që ndalon shfaqjen publike të simboleve naziste. Kjo u njoftua të enjten e 2 shtatorit nga autoritetet vendase.

Ligjet e propozuara – që pritet të paraqiten në parlamentin shtetëror në gjysmën e parë të vitit 2022 me mbështetjen dypartiake – do të ndalojnë shfaqjen e simbolit të svastikës dhe gjuhës së urrejtjes në hapësirat publike.

Policia Federale Australiane, në fillim të këtij viti, bëri thirrje për ndalimin e shenjave dhe propagandës ekstremiste.

Ligjet e propozuara “viktoriane” nuk do të përfshijnë përdorimin e simboleve, për qëllime edukative ose historike.

Krahas ndalimit, legjislativi në Victoria do të prezantojë ndryshime gjithëpërfshirëse të reja në mbrojtjen kundër poshtërimit, të cilat do të shtrihen në fusha të tilla, si orientimi seksual, identiteti gjinor dhe personat me aftësi të kufizuara.

Një raport i lëshuar nga Parlamenti viktorian zbuloi se shumë njerëz në komunitet kishin përjetuar gjuhën e urrejtjes, por, sipas ligjeve aktuale, mbrojtja shtrihet vetëm në racë dhe fe.

Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit, Jaclyn Symes, tha të enjten se ligjet e reja kundër poshtërimit, së bashku me ndalimin e imazheve naziste, do të “dërgonin një sinjal të fortë” për viktorianët.

Anëtari Liberal për Caulfield, David Southwick, u pajtua. Elektorati i tij në Melbourne ka një komunitet të madh hebre dhe Southwick tha se ai kishte parë një përshkallëzim në vitet e fundit të përhapjes së simboleve të urrejtjes.

“Nja dy vjet më parë ne pamë një ‘svastikë’ të pikturuar në një shtëpi pleqsh të mbushur plot me të mbijetuar të Holokaustit. Kjo nuk është vetëm një çështje për komunitetin hebre, është pikërisht në të gjithë botën”, tha Southwick.

Vitin e kaluar u raportua se një flamur nazist ishte valëvitur mbi një shtëpi në veriperëndim të Viktorias, me autoritetet lokale të paafta për të urdhëruar heqjen e tij, sepse ishte teknikisht e ligjshme.

“Kjo sjellje e neveritshme nuk ka vend në shtetin tonë. Fakti që ju duhet të ndaloni diçka që nuk duhet të ndodhë në vitin 2021 është mjaft e trishtueshme, por është e nevojshme”, tha Symes.

Njoftimi i së enjtes u mbështet gjerësisht nga grupet multikulturore dhe të të drejtave të njeriut në Australi.

Peter Wertheim, bashkë-shefi ekzekutiv i organit më të lartë hebre të Këshillit Ekzekutiv të Hebrenjve Australian, uroi qeverinë viktoriane.

“Kodet dhe simbolet e reja po zhvillohen vazhdimisht nga grupet e urrejtjes dhe legjislacioni do të duhet të jetë mjaft fleksibël për ta kapur këtë”, tha ai.

“Shpresojmë që qeveria federale të ndjekë shembullin”, u shpreh drejtoresha ekzekutive e “Equality Australia”, Anna Brown. Po ashtu lëshoi një deklaratë, duke mbështetur fuqimisht këtë veprim.

Deri më tani, ligjet e reja do të ndalonin vetëm simbolet e urrejtjes në hapësirat publike fizike, megjithëse diskutimet do të zhvillohen në një nivel federal në lidhje me hapësirat online.

Symes do të kërkojë të angazhojë prokuroren e Përgjithshme federale, Michaelia Cash, më vonë gjatë vitit për ndalimin e shpërndarjes së këtyre simboleve në internet.

“Ne duam t’u dërgojmë një mesazh njerëzve që ‘flirtojnë’ me neo-nazizmin se kjo nuk është diçka që Australia e pranon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore