Lajme

Vetë 11 vjeç, iku i vetëm nga Ukraina për në Sllovaki, me një numër telefoni në duar


Një djalë 11-vjeçar nga Ukraina që udhëtoi qindra kilometra drejt Sllovakisë me një qese plastike, një pasaportë dhe një numër telefoni të shkruar në dorë.

Një djalë 11-vjeçar ukrainas, i cili u arratis në Sllovaki i vetëm – me një qese plastike, një pasaportë dhe një numër telefoni të skalitur në dorë – u përshëndet nga autoritetet sllovake.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që luftimet çrrënjosnin fëmijën, familja e të cilit iku nga lufta e Sirisë rreth një dekadë më parë.

Ikja e tij e sigurt nga Ukraina, duke udhëtuar qindra milje me tren vetë, shënoi një moment të ndritshëm këtë javë në një konflikt që është përshkallëzuar që kur trupat ruse marshuan në vend.

Madje, rreth djaloshit ka reaguar edhe Ministria e Brendshme e Sllovakisë, e cila përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se – “Djaloshi Sli patrembur tregoi vendosmëri të denjë për një hero të vërtetë. një djalë, buzëqeshja e të cilit ka fituar zemrat e të gjithëve”.

Në një takim me fëmijën, ministri i brendshëm sllovak, e ka quajtur atë “Hassan i vogël”, shkruan The Washington Post.

Ndërkaq, pasi djali kaloi kufirin, vullnetarët përdorën numrin që ishte i shkruar në dorën e tij për të kontaktuar vëllezërit e motrat e tij në kryeqytetin sllovak dhe ata u ribashkuan.

Sapo djali kaloi kufirin, vullnetarët përdorën numrin në dorë për të kontaktuar me të afërmit e tij

“Ne menduam se ndoshta një nga ne mund të kthehej në Ukrainë dhe ta merrte, por ishte shumë e rrezikshme dhe ishte shumë e habitshme kur ai kaloi”, tha një nga motrat adoleshente të djalit, Luna, për Washington Post.

“Është gjëja më e mirë që ka ndodhur sepse kisha frikë për të”, ka shtuar ajo.

Ajo tha se Hassani ishte foshnjë kur ata u larguan nga Siria –  “Ai ishte shumë i vogël dhe nuk e mban mend. Isha i lumtur për këtë dhe shpresoja që ai kurrë nuk do të shihte një luftë të tillë”.

Vëllezërit e motrat u zhvendosën në vendin e nënës së tyre, Ukrainë, pasi kaluan fëmijërinë e hershme në Siri – ku Rusia është gjithashtu e përfshirë në luftë që kur ndërhyri me sulme ajrore për të mbështetur Damaskun.

Tutje, Luna ka thënë se babai i tyre sirian u zhduk në konfliktin atje, por ajo akoma e kujton fytyrën e tij.

Në një video të përlotur të shpërndarë nga autoritetet sllovake, nëna e djalit, Yulia Pisetskaya, tha se ajo ishte e ve dhe nuk ishte në gjendje të largohej nga shtëpia e tyre në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës, sepse ajo kujdesej për nënën e saj, e cila nuk mund të lëvizte vetë.

“Jam shumë mirënjohëse që ata shpëtuan jetën e fëmijës tim,” tha nëna, sipas një përkthimi të postuar nga ambasada e Sllovakisë në Londër.

“Në vendin tuaj të vogël, ka njerëz me zemër të madhe”, ka shtuar Pisetskaya.

Pas arratisjes së tij, Hassan tregoi për mediat lokale, se ishte një udhëtim i lodhshëm në trenat e mbushur me ukrainas që përpiqeshin të iknin nga lufta atje.

Pasi që ai kishte marrë komente të shumta nga populli sllovak për guximin e tij e të udhëtuarit vetëm në mes të luftës në Ukrainë, e motra e djaloshit 11 vjeç, ka shtuar se ai i thotë asaj – “Luna, unë jam një hero”.

Lufta në Ukrainë.

Ndryshe, sipas UNICEF-it, gjysma e 2 milionë njerëzve të dëbuar nga Ukraina nga sulmi rus janë fëmijë dhe shkalla e eksodit të shpallur nga Kombet e Bashkuara të martën e 8 marsit, ka barazuar në më pak se dy javë me fluksin historik të refugjatëve kryesisht sirianë në Evropë mes viteve 2015-2016.

Bashkimi Evropian ka miratuar masa të paprecedentë për refugjatët e rinj brenda kufijve të tij, duke thyer rezistencën e kaluar ndaj të tjerëve që kërkojnë strehim.

Sipas rregullave të deklaruara së fundmi, shtetasit ukrainas mund të marrin mbrojtje të përkohshme kudo brenda bllokut 27-vendesh deri në tre vjet.

Me më shumë njerëz në arrati, agjencitë u kanë kërkuar vendeve fqinje që të identifikojnë dhe regjistrojnë shpejt fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë që ikin nga Ukraina, sepse ata mund të përballen me “rrezik të shtuar të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore