Lajme

Veriu në tension: Kurti me halle të tjera, shkon në Bratislavë


Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, në kohën e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, të martën do të niset për në Bratislavë të Sllovakisë (sipas informacioneve në sajtin zyrtar të forumit) – mosnjohëse e pavarësisë së Kosovës – për të marrë pjesë në Forumin Global të Sigurisë (GLOBALSEC2023).

Kryeministri Kurti do të jetë në mesin e folësve të kësaj konference, e cila njihet si platforma më e dalluar në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ai do të jetë folës në panelin me temën “Ballkani Perëndimor dhe rruga për në Bruksel”.

Gjithashtu, folës në këtë konferencë do jetë edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ish-Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe ish-Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Protesta, gaz-lotsjellës, prezencë e KFOR-it e takime – krejt çfarë po ndodh në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore