Lajme

Vepra e Banksy-t u hoq pak pasi artisti e zbuloi atë në mediat sociale


Një vepër e re artistike nga Banksy është hequr nga një rrugë në Londër menjëherë pasi artisti postoi në lidhje me të në Instagram.

Artisti anonim postoi një seri fotografish të veprës – e cila përbëhet nga tre dronë në një shenjë ndalimi – në mediat sociale.

Më pas, thuhet se dy burra u panë duke hequr tabelën nga një kryqëzim në Peckham, në juglindje të Londrës, duke përdorur prerëse bulonash.

“Është e çuditshme, këto vepra arti janë të këndshme, do të ishte mirë nëse do të kishte qëndruar atje për një kohë”, ka thënë një nga dëshmitarët.

Sakaq, vetë Banksy nuk mendohet të jetë pas heqjes së veprës së artit.

Ndërkohë, një i dyshuar i dytë u arrestua për vjedhjen e dyshuar të veprës.

Kështu tha policia e Londrës, e cila bëri me dije se një burrë rreth të 40-ave ishte në paraburgim, si i dyshuar për vjedhje dhe dëmtim kriminal.

Një i dyshuar rreth të 20-ave, i cili u arrestua të shtunën u lirua me kusht.

Artisti misterioz dihet se konfirmon punën e tij në rrjetet sociale pa dhënë asnjë koment të mëtejshëm.

Disa e kanë interpretuar këtë të fundit si një thirrje për një armëpushim në konfliktin Izrael-Hamas, duke pasur parasysh se Banksy dihet se mbështet kauzën palestineze.

Artisti zotëron një hotel në qytetin e Betlehemit, i cili ndodhet pak hapa nga pengesa imponuese e ndarjes e Izraelit që kalon nëpër Bregun Perëndimor të pushtuar.

Banksy hapi Hotelin Walled Off në 2017-ën për të tërhequr vëmendjen ndaj konfliktit izraelito-palestinez dhe e cilëson veten si hoteli me “pamjen më të keqe në botë”.

Megjithëse vlera e tregut e punës së tij është rritur në vitet e fundit, Banksy vazhdon të prodhojë vepra në hapësira publike që e bëjnë ruajtjen pothuajse të pamundur.

“Spy Booth”, që përshkruan tre agjentë sekretë që rrethonin një kabinë telefonike me pajisje regjistrimi, u shkatërrua në vitin 2016.

Dhe në shkurt të këtij viti, një frigorifer i braktisur që ishte pjesë e një vepre arti që ishte shfaqur në qytetin anglez të Margate u mor vetëm disa orë pasi Banksy konfirmoi se pjesa ishte e tij.

Në vitin 2018, artisti shkatërroi në mënyrë të famshme një nga veprat e tij – piktura e tij e një vajze me një tullumbace të kuqe u copëtua vetë, pak çaste pasi u shit në ankand për 1.4 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore