Lajme

Vendimi për dinarin hyn në fuqi – presioni ndërkombëtar (s’)e luhatë qeverinë


Ilustrim

Nga kjo e enjte (1 shkurt) do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi operacionet me para të gatshme, por autoritet kosovare lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë që vazhdon të përdorë në mënyrë ilegale dinarin serb për pagesa/transaksione.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për shtyp të mërkurën, tha se ekzekutivi do të sigurohet që implementimi i rregullores së BQK-së nuk do të nënkuptohet sikur përpjekje për ndalimin e transfereve nga Serbia, por nё kёtё fazё do tё investojё nё informimin e bizneseve dhe qytetarёve e jo nё masa ndёshkuese, veçanёrisht pas presionit ndёrkombёtar.

“Qeveria e Republikёs sё Kosovёs është e pёrkushtuar qё periudha eventuale tranzitore tё sigurojё qё qytetarёt tё adaptohen sa mё shpejtё, sa mё lehtё dhe pa dёmtime. Mekanizmat e qeverisё qё kanё pёr obligim zbatimin nё praktikё tё kёsaj rregulloreje, do tё fokusohen qё nё kёtё fazё tranzitore tё investojnё mё shumё nё informim dhe edukim tё bizneseve dhe qytetarёve”, tha Bislimi.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb. Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

BQK-ja njoftoi ndërkohë se edhe veprimtaria e një prej rrjeteve më të mëdha të ATM-ve dhe degëve bankare në Serbi “Komercijalna Banka AD Beograd” përfundoi vullnetarisht pas 18 viteve operimi në Kosovë – kjo bankë ishte licencuar nga BQK-ja për operim në vitin 2007 dhe operoi në komunën e Mitrovicës dhe tetë nën-degë tjera në territorin e Kosovës.

“Pas kalimit të afatit të paraparë për operime bankare, me datë 31 janar 2024, janë përmbyllur të gjitha depozitat bankare ndaj qytetarëve, ndaj BQK-ja konstaton pushimin e aktivitetit të kësaj dege bankare në Kosovë. Procedurat tjera të arkivimit të dokumentacionit dhe aspekteve të ndërlidhura, realizohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”, u tha në njoftim.

Për shkak të situatës së brishtë në pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar që kulmuan pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë implementimin e vendimit dhe t’u japë më shumë kohë serbëve lokalë që të adaptohen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, kërkuan që Kosova ta pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke konsideruar se pezullimi i vendimit duhet të bëhet për të mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe komunikim të qartë dhe efektiv publik midis autoriteteve qendrore dhe serbëve lokalë në veriun e vendit.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, u tha në deklaratën e QUINT-it.

E zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për shtyp të hënën në Bruksel, përsëriti kërkesën e 27 shteteve anëtare që Kosova ta shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme, posaçërisht pas shqetësimeve për “mbijetesën e serbëve” të adresuara nga zyrtarët serbë.

Stano deklaroi se kjo çështje duhet të adresohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin dhe kujdesin e BE-së, përkundër se autoritetet kosovare vlerësuan se kjo çështje nuk do të ndikojë në procesin e normalizimit ngase nuk është produkt i negociatave, por buron direkt nga Kushtetuta e Kosovës.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano, derisa shtoi se janë plotësisht të vetëdijshëm që rregullorja synon zvogëlimin e falsifikimit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Pikërisht për këtë arsye, në prag të hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së, emisari i posaçëm i BE-së për dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, qëndroi të hënën dhe të martën në Beograd dhe Prishtinë, ku takoi zyrtarët institucionalë të të dy vendeve, në përpjekje për të menjanuar mundësinë e ripërtëritjes së tensioneve pas zgjidhjes së çështjes së targave.

Lajçaku nuk e adresoi direkt çështjen e dinarit, por paralajmëroi se do të ndërmerren “hapa konkretë” dhe do të përgatisë rekomandime për liderët evropianë dhe shtetet anëtare të BE-së mbi procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që mundësia e ripërshkallëzimit të situatës për momentin nuk mund të mënjanohet.

Në hijen e papërgjegjshme të retorikës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkoi mbështetje nga BE-ja për ndaljen e “provokimeve” të Kosovës, ndërsa organizoi edhe një “takim urgjent” me disa ministra të Qeverisë së Serbisë mbrëmjen e së martës, sa i përket vendimit të BQK-së i cili thotë se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione në Kosovë është euro.

“Kam pasur një takim konstruktiv dhe shumë korrekt. Unë theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, deklaroi presidenti serb pas takimit me Laçakun.

Lista Serbe – forca më e madhe e serbëve në Kosovë – pretendoi se largimi i dinarit do të thotë “dëbim i serbëve pa përdorimin e armëve” nga Kosova, ndonëse zgjidhja është shumë e thjeshtë – nëse marrin dinarë nga buxheti i Serbisë, duhet t’i konvertojnë në euro. E autoritetet kosovare akuzuan zyrtarët serbë për keqpërdorim të parave në emër të serbëve të Kosovës.

“Presidenti i Serbisë deklaron që ai dërgon në Kosovë çdo vit 800 milionë euro. Sikur të vinin 800 milionë euro në Kosovë, serbët e Kosovës do t’i kishin të ardhurat si qytetarët e Japonisë. Në Kosovë do të vijnë më pak se 200 milionë euro. Vendosja e transparencës e vendosë në siklet Vuçiçin të deklarojë ku shkojnë paratë e tjera”, deklaroi zëvendëskryeministri Bislimi.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë ose nënprodukteve të pasioneve maniçeane do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me euron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore