Lajme

Vendimi i Kushtetueses për çmimet tavan, Gashi për AP: I pritur e i duhur – i dhamë këshilla qeverisë, por u soll me arrogancë


Arben Gashi

“Vendim i pritur e i duhur nga ana e Gjykatës”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në një prononcim për Albanian Post, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shpallur si anti-kushtetues Ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për çmimet tavan, apo “Ligji nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”.

Gashi, i cili ka qenë njëri nga deputetët që e ka dërguar në Kushtetuese këtë ligj, tha për AP se “ne (LDK) kemi kërkuar vazhdimisht përgjegjësi, kemi dhënë këshilla”, madje theksoi se vetë ai u ka dhënë këshilla qeverisë, “ju kam tregu se mund të vendosin çmime tavan, por fillimisht duhet të vendoset gjendje emergjente dhe me përcaktu sektorët që janë me rëndësi vitale, por jo kështu në mënyrë arbitrare me vendos, sepse Kushtetuta nuk e lejon”.

“Jemi munduar që të ndihmojmë qeverinë, por janë sjellur me arrogancë”, shtoi ai për AP.

Ligji, i cili bie ndesh me tri nene të Kushtetutës së Kosovës, është hartuar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mirëpo Gashi thekson se “nuk kemi punë” me ministren, pasi që pohon se “kjo është politikë e qeverisë”.

Çka vendosi Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtetues Ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për çmimet tavan, apo “Ligji nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”.

Lënda u dërgua në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim nga Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se ligji bie ndesh me tri nene të Kushtetutës së Kosovës.

Ligji “shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, sqaron vendimi.

Janë plotë katër nene të ligjit anti-kushtetuese, sipas vendimit dhe ka shkelje në 11 paragrafë të katër neneve të ligjit të sponsorizuar nga Qeveria.

“Gjykata ka vendosur njëzëri të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të  Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Prandaj, Gjykata vendos të “konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kështu që ligjin Kushtetusja vendos ta “shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij”.

Ligji i sponzorizuar nga Qeveria e Kosovës e që Gjykata Kushtetuese e shpalli si të pavlefshëm për shkak të shkeljeve kushtetuese kërkonte që të rregullonte caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg.

Gjithashtu, synohej që përmes këtij ligji të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit të masave ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë, me idenë që eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesa e produkteve themelore në treg.

Ligji parashihte edhe shkaqet në kuadër të të cilave mund të vendosen masat e përkohshme mbrojtëse, duke mundësuar arbitrarisht që të përcaktohet kufizimin e sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, të ndalohet largimi nga shitja e produktit, të bëhet caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë e të tjera që kishin të bënin me disa detyrime që do ia mundësonin qeverisë mbi operatorët ekonomikë.

Opozita e kishte dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, sepse pretendonin se Ligji i kontestuar përbën ndërhyrje në ekonominë e lirë të tregut të garantuar, përçka vendimi i Gjykatës tashmë iu dha të drejtë.

Gjykata vendos: Qeveria e ka shkelur 11 herë Kushtetutën me Ligjin e Çmimeve Tavan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore