Shqipëria

Vendimet e qeverisë: Nga shpronësimet te marrëveshja e huasë për zhvillimin urban dhe turizmin


Këshilli i Ministrave në Shqipëri, të mërkurën e 1 qershorit ka miratuar një sërë vendimesh.

Konkretisht, shpronësimet për shkak të segmentit rrugor Tiranë-Elbasan, disa shtesa fondesh për buxhetin 2022 – për Start-up – plani 3-vjeçar në zbatim të strategjisë minerare, agjenda digjitale e Shqipërisë dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ngarkohet për kompensimin e plotë të vlerës së pronës për të gjitha ata që preken nga segmenti rrugor Tiranë-Elbasan.

Një tjetër vendim që i përket MIE-së ishte miratimi i programit të veprimit 3-vjeçar, për vitet 2022 – 2024, në zbatim të strategjisë minerare.

“Shfrytëzimi racional i rezervave minerare dhe miradministrimi i kësaj pasurie kombëtare. Mbrojtja e jetës së njerëzve dhe mjedisit”, thuhej në vendim.

Fondet shtesë

Qeveria miratoi vendimin për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit “për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

Sakaq, shtohet fondi prej 300 milionë lekë në buxhetin e miratuar për Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve për vitin 2022, për zbatimin e ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”.

Strategjia e digjitalizimit

Një tjetër vendim që u mor gjatë kësaj dite ishte edhe miratimi i strategjisë ndërsektoriale “Agjenda digjitale e Shqipërisë” dhe të planit të veprimit 2022-2026.

Ndërsa u miratua dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”.

Qeveria shqiptare do të paguajë shumën prej 13 mijë euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2 mijë euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

Kjo vlerë do të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

Sa i përket procesit të Rindërtimit u miratua në parim marrëveshja e huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo ka të bëjë me financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmin.

Të gjitha vendimet kanë hyrë në fuqi menjëherë dhe pritet botimi në “Fletoren zyrtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore