Biznes

Vendet skandinave, më të mirat për gratë në punë


Me ardhjen e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, The Economist, ka publikuar treguesin përvitshëm të quajtur “Indeksi i Tavanit të Xhamit” (Glass Ceiling Index). Indeksi paraqet vlerësimin për barazinë e grave në punë për vendet e industrializuara të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik).

Vlerësimi është me pikëzim nga 0 në 100 dhe rendit shtetet në varësi të përqindjes së pjesëmarrjes të grave në tre sfera: në menaxhimin e bizneseve, në bordet drejtuese të kompanive dhe në parlament.

Katër e vendet e para janë të zëna nga shtetet skandinave, me Suedinë që kryeson listën. 

Franca ndërpret radhën në renditje të vendeve skandinave që vijon me Danimarkën, të mbetur pas “shoqeve të klasës” në vend të gjashtë.

Turqia dhe dy vendet aziatike të Japonisë dhe Koresë së Jugut përmbyllin renditjen. Në vlerësimin me pikë ka një polarizim të theksuar mes Suedisë të vendit të parë (84 pikë) dhe Koresë së Jugut në fund (24.8) pikë. 

Bie në sy rritja me katër vende e SHBA-së dhe me tre vende të Britanisë, që vijojnë të mbeten poshtë mesatares së OECD-së. Gjithashtu edhe zbritja në vendin e 22-të të Gjermanisë, me vetëm 29% të grave në poste drejtuese.

Indeksi përllogarit një bazë të gjërë të dhënash nga arsimi, pjesëmarrja në forcën punëtore, pagesat, kostot e kujdesit ndaj fëmijëve, lejet e lindjes mes grave e burrave, aplikimet në shkollat e biznesit dhe përfaqësimi në pozicione të larta pune.

“Tavani i Xhamit” është një metaforë për barrierat dhe tabutë e grave në punë. Mesatarja e vendeve të OECD-së na tregon se barrierat dhe tabutë janë akoma aty.

Edhe në vendet e pasura, gratë vijojnë të mbeten prapa krahasuar me burrat në pozicionet e larta të jetës publike. 

Mund të themi ama se ka progres edhe në vende tradicionalisht konservatore si Japonia. Shefi i Komitetit Olimpik në Tokio u detyrua të dorëhiqej pasi u ankua se gratë flasin shumë nëpër mbledhje. Vendin e tij e zuri një grua. 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore