Shqipëria

Veliaj: Teatri do të bëhet, opozita agjendë politike të dështuar


“Tirana do të ketë për herë të parë një ndërtesë kushtuar Teatrit Kombëtar, nëntë herë më të madhe dhe më moderne”.

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi se “godina e re e teatrit do të realizohet dhe do të jetë e vendosur eksluzivisht në territorin e saj, pa i ngrënë asnjë centimetër”.

Veliaj ndër të tjera shtoi se ka 80 vite që diskutohet për teatrin dhe kurrë nuk u shpall monument kulture, ku thumboi sërish disa prej aktorëve:

“Kemi disa javë e muaj që diskutojmë ende për prishjen e Teatrit Kombëtar, një ndërtesë e cila nuk mbante më, sipas të gjitha studimeve, por sidomos sipas 99% të aktorëve dhe atyre që realisht punojnë aty, dhe jo në një parti politike”.

Kryetari i Bashkisë nuk ngurroi as të akuzonte opozitën mbi sjelljen e saj lidhur me çështjen e teatrit, duke theksuar se “askush nuk duhet të përputhë agjendat e qytetit me agjendat e dështuara politike”.

Komenteve të eksponentëve të opozitës se me ardhjen e tyre në pushtet, nuk do të zhvillohet projekti i teatrit të ri, Veliaj iu përgjigj se “sondazhet thonë se edhe këtë herë, partia juaj nuk fiton”.

“Lind pyetja: Po nëse partia juaj nuk fiton edhe kësaj herë? Po nëse nuk fiton as herën tjetër?! Po nëse nuk fiton në të ardhmen e afërt dhe të largët, do ta mbajmë peng vendin? S’besoj! Vendi duhet të ecë përpara”.

Që prej prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar në 17 maj, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe partitë opozitare zhvilluan protesta të shumta për të kundërshtuar ngritjen e një godine të re.

Prishja e teatrit erdhi pas rreth dy vitesh qëndresë të aktorëve në mbrojtje të godinës, ku përplasje pati edhe brenda rrethit të tyre mbi faktin nëse duhet një teatër i ri apo duhet rikonstruktuar struktura e të vjetrit.

Aktorët që kryen qëndresën, pas prishjes së teatrit, nisën dhe mbledhjen e firmave të qytetarëve për kundërshtinë e tyre ndaj prishjes së godinës.

Tashmë trualli i Teatrit Kombëtar është i rrethuar dhe siç ka bërë me dije Veliaj, puna për ndërtmin e godinës së re do të nisë së shpejti./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore