Muzikë

Vedat Ademi dhe Redina Trieshi publikojnë këngën “Edhe një herë”


Këngëtari nga Kosova, Vedat Ademi, ka publikuar video projektin e tij më të ri muzikor në bashkëpunim me artisten, Redina Trieshin.

Kënga e re e dyshes, Ademi dhe Trieshi, titullohet “Edhe një herë”, teksa artistët i kanë bashkangjitur edhe një video klip, gjithmonë duke iu përshtatur tematikës së këngës, ashtu siç vetëm Vedati di.

Gjithsesi, kënga është punuar nga Gent Myftaraj me tekst të shkruar nga vetë artistja, Redina, ndërsa vulën e vizuelizimit të skenave të kuruara e mban kompania artistike “Pro Video”.

Ndërkohë, mbase, jemi mësuar, që Vedati, të jetë mjaft i rezervuar në publikimin e projekteve të reja muzikore, por viti 2021 po na e dëshmon të kundërtën.

Vedat Ademi.

“Edhe një herë” është projekti i tretë i publikuar nga Vedat Ademi, pas një zhvendosjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rikthimit në trojet shqiptare, atje ku Ademi zhvillon jetesën mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë muajit korrik, Vedati, kishte publikuar këngën “Do vij”, e cila u mirëprit nga fansat e artistit, ndërsa aktualisht numëron afro 300 mijë klikime në YouTube.

Por, para “Do vij”, Ademi, në muajin prill, kishte publikuar projektin muzikor të titulluar “Kënga jonë”, i cili po ashtu morri pëlqimin e audiencës e që për momentin numëron mbi 250 mijë klikime në YouTube.

Në anën tjetër, edhe këngëtarja, Redina Trieshi, po tregohet mjaft aktive në publikimin e projekteve të reja muzikore.

Redina Trieshi.

Në repertuarin e saj, Redina, numëron disa video projekte muzikore solo, të tilla si; “Vetëm”, “Syn” si dhe bashkëpunimi me Alar Band në këngën “Bella”, që numëron afro 1 milion klikime në YouTube.

Vetëm para katër javësh, Trieshi, kishte publikuar video klipin e këngës “Sillna”, e cila numëron afro 700 mijë klikime në YouTube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore