Lajme

Vdes Bob Dole – Njeriu që i kontribuoi lirisë së Kosovës


Bob Dole, ish-senatori amerikan

Bob Dole, ligjvënësi shumëvjeçar që tejkaloi plagët e rënda të Luftës së Dytë Botërore për t’u bërë ruajtësi i Partisë Republikane, vdiq në gjumë në moshën 98-vjeçare.

Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë të dielën.

“Me zemër të rëndë njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq këtë mëngjes herët në gjumë”, shkruhet në njoftim.

“Në vdekjen e tij, në moshën 98-vjeçare, ai i kishte shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet.”

Në shkurt, Dole zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive të fazës 4 dhe tha se po fillonte trajtimin.

Bob Dole kishte një rol vendimtar me kontributin e tij ndaj çlirimit dhe lirisë së Kosovës.

Vizita e tij në vitin 1990 në Prishtinë shënon kthesën vendimtare për vendin.

Vizita e tij shpalosi qartë në arenën ndërkombëtare realitetin e hidhur, shkeljen dhe abuzimet e të drejtave njerëzore që po ndodhnin në Kosovën e viteve të 90-ta nga regjimi serbo-jugosllav.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu pikëllimin e saj me marrjen e lajmit për ndarjen nga jeta të ish-senatorit Dole.

“E pikëlluar të dëgjoj për vdekjen e senatorit Bob Dole. Hero lufte, politikan i respektuar dhe mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prehsh në paqe, mik i dashur”, shkroi Osmani.

Kryeministri Kurti e quajti Bob Dole-in, “Hero amerikan” dhe “mbështetës të pazëvendësueshëm të Kosovës”.

“I pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të senatorit Bob Dole. Duke i dërguar ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të domosdoshëm të lirisë së Kosovës. U preftë në paqe”, shkroi ai në Twitter.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkroi se Shtetet e Bashkuara humbën një patriot të të vërtetë, ndërsa Kosova një mik të madh.

“Senatori Dole ishte një mbështetës i jashtëzakonshëm i lëvizjes sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Emri i tij është përjetësisht i gdhendur në themelet e shtetit tonë”.

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, shprehu ngushëllimet e tij me rastin e pikëllueshëm të ndarjes nga jeta të njërit prej mbështetësve të parë në historinë e re të Kosovës, ish-senatorin amerikan Bob Dole.

“Shumë të pikëlluar të dëgjojm për vdekjen e Senatorit Dole”, shkroi Dugolli.

“I bashkohemi ShBA-së në zi për humbjen e një shërbyesi të shkëlqyer publik, dhe një miku të vjetër të Kosovës”.

Edhe Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shprehu ngushëllimet e tij për lajmin.

“I pikëlluar për humbjen e senatorit Bob Dole. Senatori Dole mbetet një nga figurat kryesore që identifikon rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Ai ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot. Pusho i qetë Bob. Do të na mungosh”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Edhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u shpreh se “Bob dole ishte miku i parë në histori të Kosovës”.

“Me pikëllim të madh mora lajmin për vdekjen e Bob Dole, politikani i parë amerikan që ishte miku i parë, historik i Kosovës! Pusho në paqe senator”, ka shkruar Hoxha.

Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku përmes një shkrimi tha se “Liria dhe Pavarësiua e Kosovës janë ngushtë të lidhura me kontributin e senatorit Dole”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku në një vizitë në vitin 2018 te ish-senatori amerikan, Bob Dole

“Pusho në paqe Senator. Kemi me të kujtu përjetë”, shkroi Çitaku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se ishte “Thellë i pikëlluar me lajmin për vdekjen e Senatorit Bob Dole, mikut të madh të Kosovës dhe popullit tonë, i cili parreshtur mbështeti rrugën tonë drejt lirisë, që nga ditët e rënda në fillim të viteve ’90, në themelimin e shtetit tonë të lirë e të pavarur e deri në ditët e sotme”.
“Senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin tonë kombëtar për çlirim dhe pavarësi. Ai do të na mungojë, por trashëgimia e tij do jetojë përgjithmonë, bashkë me historinë e shtetit tonë sovran”, shkroi Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore