Lajme

Varianti i ri Covid-19 në Maqedoninë e Veriut


Varianti i ri i Covid-19 është shfaqur edhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo u bë e ditur me 14 janar.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar për mediat se variant i ri që është zbuluar nuk është identik me mutacionin e ri në Britanisë e Madhe, por i ngjashëm. Ai thekson se ky variant është i ngjashëm me atë të Serbisë dhe Zvicrës.

Ministri theksoi se që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut janë zbuluar shtatë lloje mutacionesh, të cilat kanë qenë dhe në vende të tjera.

“Identik si virusi që është zbuluar në Britaninë e Madhe, nuk është! Tek ne janë zbuluar shtatë lloje mutacionesh gjenetike që nga fillimi i krizës, në Laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve. Ky virus, i ngjashëm me tonin është regjistruar në Serbi dhe Zvicër”, deklaroi Filipçe.

Ministri ka bërë të ditur se qeveria ka miratuar programin për imunizimin e detyrueshëm të popullsisë për vitin 2021. Programi përfshin grupmoshat që do t’i nënshtrohen vaksinimit, llojin e vaksinave dhe kalendarin për imunizimin.

Vaksinat e para priten të arrijnë në fillim të muajit shkurt. Në këtë shtet mbeten deri më 21 janar masat shtrënguese për mbrojtjen nga përhapja e virusit. Numri total i rasteve me Covid-19 është 87 mijë e 986. Numri i të vdekurve ka arritu në 2 mijë e 672. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore