Shqipëria

Varhelyi për treshen Rama-Vuçiç-Zaev: Ju keni shtyrë përpara “Open Balkan” kur ne nuk arritëm/Tre partnerët e tjerë t’i bashkohen nismës


Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, ka vlerësuar shtyrjen që tre nismëtarët e “Open Balkan”, Edi Rama, Alexandar Vuçiç dhe Zoran Zaev, i kanë bërë bashkëpunimit, kur BE-ja nuk mundi t’i bashkojë të gjashtë vendet.

Sipas komisionerit, nisma duhet ndihmuar. Kjo, parësisht vjen për faktin sepse ajo mund të ndihmojë në mënyrë direkte për rritjen e shpejtë të Ballkanit. Kështu, duke e përafruar rajonin edhe me Bashkimin Evropian.

Ai e theksoi përpjekjen për ta kornizuar brenda Procesit të Berlinit nismën, por sipas tij, për fat të keq, disa zgjedhje nga vendet e tjera rajonale, e lanë mënjanë iniciativën.

Mbi këtë fakt, ai nuk ngurroi të ftonte tre vendet e mbetura jashtë, që t’i bashkohen sa më parë “Open Balkan”.

Ndërsa, nga Rama, Vuçiç e Zaev, ai kërkoi që të vijojnë të shtyjnë për nismën.

“Rajoni kërkon të jetë një i tëri, sa i takon ekonomisë dhe shoqërisë. Rajoni kërkon të jetë i tëri dhe bashkë, siç jemi ne në BE”.

Sipas Varhelyi-t, kjo nismë mund të rrisë në nivelin e një të tretës së Prodhimit të Brendshëm Bruto ekonominë ballkanase. Por, kjo mund të realizohet vetëm me gjithëpërfshirje.

Mbi këtë premisë, Varhelyi shtoi se tashmë, mbetet në dorë të vendeve të kuptojnë rëndësinë e integrimit rajonal dhe mënyrën si jetët e qytetarëve bashkohen dhe përmirësohen.

“Ne mendojmë se ky është mesazhi më i mirë që mund të përçojë rajoni. Pra, që po e zhvilloni këtë bashkim në mënyrë faktike”, vijoi ai.

Ndërsa në përmbyllje, për të disatën herë, ai ravijëzoi mbështetjen ndaj nismës dhe ftesën për Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore