Lajme

Vaksinat po mbarojnë… në vendet e varfra


Një numër i madh i vendeve të varfra, nuk kanë doza të mjaftueshme për të vazhduar procesin e vaksinimit, pavarësisht mekanizmit Covax, të ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), për t’i ndihmuar këto shtete.

Alarmin e ka dhenë vetë OBSHA-ja, pas një shpërndarjeje shumë të rezervuar të vaksinave deri më tani.

Këshilltari i lartë i organizatës, Dr. Bruce Aylward, bëri me dije se janë shpërndarë rreth 90 milionë doza në 131 vende.

Por, kjo nuk është as pranë shifrës së mjaftueshme për të arritur të kryhet një proces vaksinimi, i cili mund të ofrojë rezultat në këto shtete.

Kryesisht, bëhet fjalë për vendet afrikane. Ndër to, ka edhe raste të rikthimit të valëve të treta, edhe më vdekjeprurëse se dy valët e para.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, bëri thirrje ndaj vendeve të pasura, që të mos i mbajnë vaksinat vetëm për vete. Kjo, pasi qeveria e tij po has vështirësi në mbajtjen e një kurbe të qëndrueshme të rasteve të reja me Covid-19.

Në nivel kontinental, vetëm 40 milionë doza kanë shkuar për Afrikën. Kjo do të thotë se vetëm 2% tërësore e gjithë kontinentit, është vaksinuar.

Ramaphosa ka adresuar problemin po ashtu edhe në OBSH, drejtpërdrejt pranë strukturave të mekanizmit Covax. Ideja është që të krijohet një fond i veçantë për Afrikën në marrjen e vaksinave.

Qëllimi i krijimit të Covax-it, ka qenë pikërisht shpërndarja e vaksinave në vendet, të cilat nuk e kishin të mundur.

1 miliard vaksina janë dhuruar nga SHBA-të dhe BE-ja për Covax së fundmi. Por këto janë të shtrira në kohë deri në fund të vitit 2022.

Ndaj, si rrjedhojë, një administrim dhe shpërndarje më e mirë dhe e shpejtë, po kërkohet nga këto vende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore