Sport

Usyk pritet të lirohet nga lufta në Ukrainë për të zhvilluar meçin e shumëpritur ndaj Joshua-s


Dueli i shumëpritur i peshave të rënda në boks mes Oleksander Usyk dhe Anthony Joshua mund të zhvillohet sipas planit në muajin qershor.

Ky meç i shumëpritur ishte planifikuar të zhvillohej në pranverë, por me fillimin e luftës në Ukrainë, Usyk befasoi të gjithë, duke pezulluar përgatitjet, për t’iu bashkuar ushtrisë së vendit të tij në mbrojtje ndaj agresionit rus.

Megjithatë meçi me Jushua-n për mbrojtje të titullit mund të zhvillohet dhe kjo u konfirmua nga promotori Edi Hern.

Hern ka thënë se Usyk do të lirohet nga ushtria ukrainase për t’u larguar nga lufta, në mënyrë që të vijojë përgatitjet për meçin e shumëpritur.

“Mendoj se dueli do të zhvillohet. Mendoj që kjo është ndeshje e madhe që duhet të zhvillohet dhe do të bëhet në qershor”, tha ai për duelin e dytë mes dy boksierëve, ku i pari shpalli me vendim unanim ukrainasin kampionin e ri të botës në peshat e rënda.

Edhe promotori Bob Arum hodhi dritë mbi situatën e boksierëve dhe se kishte bisedime të vazhdueshme me qeverinë ukrainase që mendonte se ndeshje të tilla i bënin mirë imazhit të vendit.

Ndaj i njëjti trajtim pritej edhe për Vasil Lomacenko i cili ka planifikuar të ndeshet me George Kambosos Jr.

“Qeveria ukrainase, e cila është e jashtëzakonshme, po bashkëpunon me ne për Lomacenko-n dhe Usyk”.

“Ata e kuptojnë se ka një vlerë të jashtëzakonshme publiciteti që ata të largohen, stërviten dhe të marrin pjesë në meçe”.

“Shpresojmë që lufta të ketë mbaruar, por nëse jo, pas ndeshjeve ata do të kthehen në mbrojtjen e vendit të tyre”.

“Por nuk di se si e mendojnë vetë boksierët, nëse do të pranojnë ofertën e Ministrit të Kulturës të Ukrainës që të largohen nga lufta për t’u stërvitur”, tha mes tjerash Arum.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore