Lajme

‘Ushtria e meme-ve’, kështu po e fiton Ukraina luftën e mediave sociale


Pas gati tetë muajsh, lufta në Ukrainë mbetet në balancë.

Kundërofensivat e Kievit vazhdojnë të përparojnë, ndërsa forcat ruse janë ende duke ruajtur terrenin e pushtuar tashmë.

Në internet, kjo është një çështje shumë e përfolur, e cila merr gjithmonë vëmendjen maksimale.

“Ky është një komb meme”, thotë Olena, një sipërmarrëse nga Kievi, e cila menaxhon ekipe vullnetarësh të mediave sociale.

Olena nuk është emri i saj i vërtetë, por për shkak të natyrës së ndjeshme të punës që ajo dhe ekipet e saj kryejnë në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, ajo ka kërkuar të mbetet anonime.

Që nga fillimi i konfliktit, ekipet e saj punojnë gjatë gjithë kohës, duke reaguar me shpejtësi ndaj lajmeve nga i gjithë vendi dhe duke prodhuar video dhe lajme për audiencën brenda dhe jashtë kufijve.

“Nëse kjo do të ishte luftë memesh, ne do të fitonim”, deklaroi ajo.

Ashtu si Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, i përshtat fjalimet në parlamentet e huaja duke marrë parasysh historinë, kulturën dhe ndjeshmërinë vendase, ngjashëm vepron dhe ekipi ndërkombëtar prej pesë anëtarësh, i cili synon të përcjellë mesazhe nëpërmjet videove tyre.

Një video e realizuar në qershor, që falënderonte Britaninë e Madhe për ndihmën e sajë ushtarake, shfaqte muzikën e Gustav Holst dhe The Clash, me pamje të Shekspirit, David Bowie, Lewis Hamilton dhe një montazh të armëve antitank të furnizuara nga britanikët.

Olena thotë se një nga videot e saj të preferuara, “Faleminderit”, vlerësoi Suedinë për investimin e saj me vlerë monetare 20 mijë dollarë ndaj Ukrainës, në formën e raketahedhësve “Carl Gustav”, të aftë për të rrëzuar tanket ruse T-90 me vlerë 4.5 milonë dollarë.

Videoja e tyre më e suksesshme, e publikuar në gusht pas disa sulmeve ndaj objektivave ruse në Krimenë e ankesuar, ka mbledhur 2.2 milionë shikime.

Ajo tallte rusët për pushtimet në gadishull dhe ishte vendosur në këngën e grupit muzikor Bananarama me titull Cruel Summer.

“Ideja kryesore është të flasësh me audiencën ndërkombëtare dhe të tregosh se Ukraina është në të vërtetë e aftë të fitojë, ndryshe askush nuk do të investojë te humbësit” përkufizoi ajo.

Por, një tjetër nga ekipet e Olenës kryen punë më armiqësore, të dizajnuara për të nxjerrë në pah humbjet ruse dhe për të demoralizuar pushtuesit rusë.

Synimi i audiencës Ruse

Ka një mori videosh, që përshkruajnë pengesat ushtarake ruse të postuara në platformat e mediave sociale, por ata kanë mësuar përmes provave dhe gabimeve se çfarë funksionon dhe çfarë jo.

“Ne filluam të shfaqnim trupa të vdekur rusë,” thotë Olena, “dhe pastaj ne kuptuam se në fakt nuk funksionoi. Ajo vetëm i bashkoi ata kundër nesh.”

Pas kësaj, ekipi u përpoq të apelonte në ndërgjegjen e ushtarëve rusë duke treguar imazhe të civilëve të vdekur ukrainas por dhe kjo pa rezultat.

“Ne e kuptuam se ata ishin në të vërtetë krenarë për këtë. Ne e kuptuam se duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë shumë më të sofistikuar. “theksoi ajo.

Tani vullnetarët shqyrtojnë me imtësi platformat e mediave sociale ruse, duke kërkuar të hetojnë mbi dobësitë në pjesë të veçanta të vendit.

“Nëse e bëni atë në Saratov, duhet të dini se çfarë po ndodh në Saratov,” thotë Olena. “Nëse e bëni atë në Nizhny Novgorod, duhet të dini se çfarë po ndodh në Nizhny Novgorod”.

Është jashtëzakonisht e vështirë të vlerësohet ndikimi që ka kjo punë, por mobilizimi i pjesshëm i kohëve të fundit i Vladimir Putin u ka dhënë vullnetarëve shumë material për të punuar, sipas saj.

“Ne prisnim mobilizimin,” shton Olena. “Ne e dinim se do të ishte shumë demoralizuese për ta”.

Pjesa e vetme më e pasur e materialit gjendet në shërbimin e mesazheve në median sociale Telegram.

Olena e quan atë “Perëndimi i egër”.

Vullnetarët që ofrojnë materiale për ministrinë e mbrojtjes janë vetëm një pjesë e vogël e një komuniteti të gjerë, të gjallë, patriotik të ashpër, që reagon ndaj ngjarjeve në terren, ndonjëherë me shpejtësi të mahnitshme.

Njëra, e quajtur “Ofensivja e Ukrainës”, ka 96 mijë e 485 ndjekës. Slogani i saj është “luftimi në vijën e frontit civil-meme të luftës së informacionit që nga viti 2014”.

Ai ofron një gamë të përditësimeve ushtarake, brenda dhe jashtë Moskës dhe gërmime të njëpasnjëshme në mbulimin e mediave perëndimore (përfshirë median shtetërore britanike BBC).

Ashtu si shumica e kanaleve të tjera, ai nuk i shmanget shfaqjes së vuajtjeve, duke përfshirë edhe pamjet e ushtarëve rusë të vdekur.

Shpërthimi i fundit në Urën e Kerçit të Rusisë, e cila lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar, shkaktoi një valë videosh, teksa “ushtria e internetit e Ukrainës” festoi për impaktin pozitiv që arriti të krijonte me anë të postimeve të tyre.

Marrë dhe përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore