Kosova

Urimi i pakuptueshëm i Gërvallës për Vitinë – çfarë deshi të thotë diplomatja?


Donika Gervalla dhe Arben Vitia

Në kohën kur po shënohen rekorde të zeza të të vdekurve dhe të infektuarve me Coronavirus, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla, ka zgjedhur, që në mesnatë, të shkruajë një status në llogarinë e saj në Facebook për ta uruar për punën që po bën ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Përkundër se në Kosovë vetëm në dy javët e fundit kanë vdekur 133 persona dhe janë infektuar plot 14 mijë e 15 të tjerë, Gërvalla shkruan se Vitisë duhet “hequr kapelën”.

Kosova është vendi me popullsinë më të pavaksinuar në rajon po ashtu, derisa shumicën e vaksinave të siguruara i ka nga donacionet.

Procesi i vaksinimit ka shkuar me shumë parregullsi; grumbullime, pritje dhe probleme të tjera, por prapë Gërvalla shkruan në statusin e saj të mesnatës se Vitinë e karakterizon “përkushtimi, profesionalizmi, zelli, modestia dhe qetësia”.

“Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë”, thotë diplomatja, por pa përmendur cilën nga këto sfida e ka menaxhuar në nivel shembullor.

Situata me COVID-19 është aq keq në Kosovë saqë Qeverisë i është dashur të fusë në funksion masa të reja, të cilat do ta reduktojnë aktivitetin e gastronomisë dhe rrjedhimisht ekonominë në përgjithësi, por Gërvalla thotë se është “e sigurt që edhe këtë sfidë do ta kalojmë së bashku”.

Ajo ka siguruar se Vitia po punon shumë mirë duke ofruar si dëshmi vrojtimin e afërt që i ka bërë Vitisë gjatë punës.

“I kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën”.

Mungesa e spitalit

Përveç numrit të madh të vdekjeve, numrit të vogël të të vaksinuarve, dhe rritjes së madhe të të infektuarve, Kosova ka edhe problemin e mungesës së shtretërve dhe hapësirës për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Siç ka raportuar Albanian Post, një “Spital COVID-19” ishte premtuar kohë më parë, por spitali nuk është askund dhe nuk ka një sqarim mirëfilli përse nuk u bë.

Ishte 20 shtator i vitit 2020, kur ministër i atëhershëm i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, kishte deklaruar se “Spitali COVID-19” me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt, por tenderi ishte anuluar.

Po Gërvalla?

Njëjtë si Vitia edhe vetë Gërvalla në ministrinë e saj nuk është se ka pasur shumë sukses. Kosova nuk ka realizuar ndonjë njohje të re, gjithashtu nuk dihet ndonjë fushatë për anëtarësim në ndonjë organizatë, përkundër se qeveria pati deklaruar se nuk e njeh marrëveshjen e Uashingtonit dhe memorandumin për mos-lobim që u arrit aty.

Përveç kësaj, ende nuk dihet kush do të emërohet në “shtëpitë diplomatike të Kosovës”, të vendosura në shtetet mike, ku aktualisht janë duke shërbyer “diplomatët në detyrë”, pasi që në maj të këtij vitit (2021) Gërvalla pati marr vendim që të shkarkojë 12 ambasadorë të emëruar politikë.

“Pas datës 30 gusht do të jetë ambasadori i ri aty”, kishte deklaruar Gërvalla, por procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj është shumë prapa.

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, akoma nuk ka pranuar asnjë propozim dhe asnjë emër të personave që Ministria do t’i dërgojë për emërimin e ambasadorëve.

Anëtarë të këtij komisioni dhe hulumtues të organizatave jo qeveritare në Kosovë këtë proces po e shohin si të vonuar, gjë që sipas tyre, zgjatja mund të dëmtojë marrëdhëniet diplomatike bilaterale të Kosovës me shtetet të cilat e njohin atë.

(Për shkak të një lëshimi teknik në llogaritjen e numrave të të vdekurve dhe të infektuarve ky tekst është përditësuar)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore