Lajme

UP-ja më nuk është institucioni i arsimit universitar më i dëshirueshëm në Kosovë, universitetet private ia kanë marrë terrenin


Foto: Albanian Post

“Emigrimi i të rinjve”, “universitet e kolegjet private”, “fushata negative ndaj Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”, janë vetëm disa nga shkaqet që bashkëbiseduesit e Albanian Post, i kanë përmendur të pyetur për numrin e ulët të studentëve që po përzgjedhin të studiojnë në UP.

UP – si institucioni kryesor i arsimit të lartë në Kosovë – nuk ka arritur t’i plotësojë as vendet e lira në programet studimore në afatin e parë, atë të qershorit, e as në të dytën, të shtatorit.

Në disa prej drejtimeve shifrat janë të frikshme. Departamenti i Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik, nga 58 vende të lira, numri i atyre që kanë aplikuar ka qenë vetëm 7.

Për Dekanin e Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli e Shefin e Departamentit të Historisë, Mentor Hasani, janë disa faktorë që kanë ndikuar që të jetë kjo gjendje çfarë është.

Bërxulli, në një prononcim për AP, thotë se rënia e numrit të aplikimeve të kandidat-studentëve ndërlidhet me faktorë “që kanë të bëjnë me rënien e përgjithshme të numrit të të rinjve që aplikojnë në universitete”.

Sipas tij, kjo gjë nuk është domosdoshmërisht “diçka negative”, meqenëse “shumë të rinj priren të dalin menjëherë në tregun e punës, qoftë kjo edhe duke emigruar jashtë vendit”.

“Po ashtu, parapëlqimi në rritje për arsim profesional ndikon numrin më të ulët të studentëve në përgjithësi. Më tutje, Kosova është pjesë e një tregu global të arsimit të lartë”, pohon.

Dekani i Fakultetit Filozofik ngrit edhe shqetësimin se shumë të rijnë po orientohen drejt vendeve të rajonit dhe atyre evropiane për të studiuar në nivelin baçelor, “një tendencë që po vjen, duke u theksuar me çdo vit”.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli.

Nga ana tjetër, për Mentor Hasanin, njëra nga arsyet e  rënies së numrit të studentëve për të studiuar në UP, është fushata negative që i bëhet UP-së.

“Një element kyç është fushata e papërshtatshme thënë mesë buti dhe e padrejtë në vëzhgimin tim ndaj stafit të UP-së, kjo në disa raste me të drejtë, por në të shumtën e rasteve me pa të drejtë, ku grupet e interesit, në mënyrë të pamëshirshme dhe pa ekuivoke kanë atakuar UP-në duke bërë që edhe kjo ta ketë një ndikim negative në perceptimin e publikut për UP-në”, theksoi ai për AP.

“Ka zëra që kjo fushatë e ka burimin tek konkurrenca nga kolegjet etj, por kjo mbetet vetëm në suaza të dyshimeve dhe nuk mund të flasim me siguri të plotë për një element të tillë”, shtoi.

Veç kësaj, ai përmend edhe rënien e natalitetit që nga paslufta në Kosovë.

“Janë edhe universitetet shtetërore të themeluara në nivel vendi, në pothuajse secilin regjion, gjithashtu, kolegjet private dhe reklamacioni i tyre etj”.

Shefi i Departamentit të Historisë, Mentor Hasani.

Këtë vit, në të dy afatet, në Departamentin e Historisë, nga 100 vende të lira, aplikuan vetëm 41 studentë, ndërsa situata nuk është më e mirë as tek departamentet e tjera, por as në fakultetet tjera.

Departamenti i Letërsisë Shqipe në kuadër të Fakultetit Filologjik është njëri nga ta. Në të dy afatet nga 54 vende të lira, kanë aplikuar vetëm 22.

Por, megjithatë, bashkëbiseduesit e AP-së, përkundër numrit të ulët të studentëve, e shohin edhe anën tjetër të medaljes.

Numri i vogël i studentëve, thonë ata, do ta mundësojë që të punojnë më afër me secilin student.

“Tani që numri i studentëve është më i vogël edhe mundësitë për të punuar nga afër me secilin student veç e veç do të jenë më të mëdha”, nënvizon shefi i Departamentit të Historisë.

Viteve të fundit, e veçanërisht këtë vit, numri i studentëve-aplikantë në UP është në rënie, teksa kemi një rritje të atyre që përzgjedhin për të vijuar studimet në Universitete apo kolegje private.

Përkundër kësaj, Dekani i Filozofikut Bërxulli, beson se kur bëhet fjalë për shkenca sociale dhe humane, fakulteti që ai e drejton mbetet “zgjedhja e parë për të rinjtë në Kosovë”.

“Po ashtu, Universiteti i Prishtinës është institucioni me cilësinë më të lartë jo vetëm në Kosovë”.

Në të njëjtën linjë është edhe Hasani.

“Përkundër një konkurrence të pabarabartë dhe rrjedhimisht të padrejtë, si dhe përkundër sulmeve të vazhdueshme nga grupet e interesit UP-ja, qëndron fuqishëm si universiteti lider në hapësirën shqiptare”, pohoi, teksa shprehet optimist se cilësia do të vazhdojë të rritet.

“Natyrisht, duhet thënë hapur se kritika publike, ajo që ne e konsiderojmë si me vend dhe të drejtë, neve na ka bërë më të mirë, më të përgjegjshëm dhe reflektues mbi studimet dhe atë që ne ofrojmë për studentët”.

Roli i Ministrisë së Arsimit

Sipas Bërxullit, reforma në arsimin e lartë në Kosovë është “kërkesë e kohës”, dhe se kjo reformë së pari “ndërlidhet me financimin adekuat të arsimit të lartë dhe shkencës, investimet më të mëdha të qeverisë në arsimin publik”.

“Veçanërisht në infrastrukturën kërkimore, si dhe çështje të tjera relevante, një bashkëpunim më i madh i qeverisë me institucionet e arsimit të lartë, veçanërisht me Universitetin e Prishtinës, ndryshimin e modelit qeverisës të universiteteve etj”.

Ndërsa, Hasani mendon se Ministria e Arsimit dhe UP-ja “duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht në ngritjen e cilësisë dhe ofrimin e kushteve më të mira për secilin student që ka zgjedhur UP-në”.

“Por duhet punuar më shumë edhe në motivimin e stafit dhe vlerësimin e drejtë të atyre që angazhim primar e kanë mësimdhënien në UP dhe rrjedhimisht emancipimin shoqëror e gjenerimin e kuadrove profesionale të cilat do t’i shërbejnë shoqërisë tonë por edhe njerëzimit në përgjithësi”.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – është institucioni kryesor i arsimit në vend.

Në të gjitha ranglistat ndërkombëtare vazhdon të mbetet lider në trojet shqipfolëse sa i përket cilësisë që e ofron ky institucion.

Në Kosovë, aktualisht operojnë 9 institucione universitare publike, teksa kemi 12 kolegje private.

Përkundër se në të gjitha matjet del si institucioni me cilësinë më të lartë arsimore, viteve të fundit ka një rënie drastike të studentëve-aplikantë.

Njëri nga drejtimet që vazhdon të ketë kërkesa të larta për të studiuar në programin Mjekësi e Përgjithshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore